Jep mbrojtjen i akuzuari Hasan Hoti: “Nuk e di kush e ka paguar rrymën”

Raporton: Fjolla GAXHA

Gjakovë- I akuzuari për dëmtim të buxhetit të Komunës së Rahovecit në vlerë prej 2.371.90 euro, Hasan Hoti, ka dhënë mbrojten e tij në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Gjatë marrjes në pyetje nga palët në procedurë, Hoti ka deklaruar se nuk e din se kush e ka paguar shumën për të cilën akuzohet.

Në pyetjet e prokurorit Agron Matjani lidhur me banesën e blerë në vitin 2012 në Rahovec, i pandehuri Hoti shpjegon se ka përpiluar kontratë me shkrim për atë blerje. Mirëpo, ai shton se për banesën në fjalë nuk e ka paguar rrymën asnjëherë. “Kur e kam blerë banesën kanë qenë 3700-4000 euro të pa paguara për rrymën e shpenzuar, të cilin fakt e kam të konstatuar në kontratën mbi shitblerjen, ku ato shpenzime i ka marrë përsipër shitësi”, tha ai. Tutje, Hoti thekson se ai së bashku me shitësin Zllata Filipoviq kanë shkuar në Habitat në Prizren për ta rregulluar këtë çështje , dhe më pas ka shkuar në KEDS për ta përkthyer njehësorin në emrin e tij. Mirëpo, ky përkthim nuk është bërë sepse, sipas të pandehurit, kjo nuk ka qenë e mundur pa vendim nga Habitati, prandaj dhe nuk ka paguar rrymë.

Bazuar në deklaratën e tij, prokurori Matjani e ballafaqon atë me faktin se si është e mundur që për këtë banesë janë bërë 5 pagesa për rrymën e shpenzuar aty, dhe atë përmes xhirollogarisë dhe buxhetit të KK Rahovec. “Nuk e di se pse Komuna nga buxheti i saj paska paguar shpenzimet për rrymën e shpenzuar në këtë banesë” përgjigjet i pandehuri Hoti. I njëjti shton se Kuvendi nuk ka kërkuar që ai të bëj pagesë, as rryma nuk ka qenë në emrin e tij.

Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari Hoti, deklaron se Gani Gashi nuk ka jetuar më herët në atë banesë,  por nuk e din për Nazmi Hajdan. “Nuk e di që Nazmi Hajda ka jetuar aty, pasi kur unë e kam blerë banesën ajo ka qenë e lirë, e demoluar. Por kur kam shkuar në KEK për rrymë më kanë thënë se rryma është në emër të Nazmi Hajdes”, bën të ditur ai.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari Hasan Hoti deklaron se tërheq autorizimet e dhëna për mbrojtësit Teki Bokshi dhe Avdi Rizvanolli për përfaqësimin e tij në këtë çështje penale. Tani e tutje mbrojtësi i tij do të jetë vetëm avokati Myhedin Bekeri.

Seanca e rradhës u caktua të mbahet me 30 shtator 2016, në ora 13:30, ku pritet që palët të japin fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hasan Hoti akuzohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare derisa kishte ushtruar pozitën e zyrtarit për paga dhe pagesa në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Aktakuza e ngarkon Hotin se gjatë periudhës kohore prej tetorit 2010 deri më 22 prill 2014 se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, duke paguar fatura të rrymës të dy shpenzuesve privat të energjisë elektrike, Gani Gashi dhe Nazmi Hajdës, të dy nga Rahoveci. Këto fatura i akuzuari Hoti i kishte paguar nga buxheti i Komunës së Rahovecit, duke dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 2.371.90 euro.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë