JEP MBROJTJEN I AKUZUARI AHMET MAHMUTAJ PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Adem KRASNIQI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premtën, në seancën e kryesuar nga gjykatësja Lumturije Muhaxheri, ka vazhduar shqyrtimi i provave ndaj Drejtorit për Urbanizëm në Komunën e Pejës, Ahmet Mahmutaj, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit.

Mahmutaj u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Gëzim Kollçaku. I akuzuari tregoi rrjedhën e ngjarjes së 3 shtatorit 2013, ku sipas tij tani dëshmitari Shërbim Berisha, njëri prej bashkëpronarëve të objektit për të cilin akuzohet se ka marr ryshfet që të ndërtohet edhe një katë pa leje, kishte hyrë në zyrën e tij, ia kishte lëshuar një zarf në tavolinë dhe kishte dalur duke mos pasur mundësi as të flasë me të se kush është dhe çfarë ka në zarf. “Krejt çka kom mujt me kuptu nga ky njeri është se ka thënë merri paret jepja atyne që po dojnë me ma rrëzu objektin dhe  pasi që del nga zyra, pas disa sekondave futen pesë policë në zyrë, të cilët më treguan se kemi ardhë për kontrollim.  Më thanë që t’i hapi sirtarët dhe parat që ishin në zarf, i shpërndanë mbi tavolinë dhe bënin foto me to si nëpër filma të Hollivudit”, tha i akuzuari Mahmutaj.

Në pyetjen e trupit gjykues se pse ky person ka ardhur tek ai e jo në Drejtorinë e Inspeksionit,  e cila është kompetente për lëshimin e lejeve, i akuzuari Mahmutaj tha se e gjitha kjo ishte një simulim i një pjesëtari të policisë, i cili ka abuzuar edhe me vartësit e tij, por që nuk theksoi emra.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi, e ka ballafaquar të akuzuarin Mahmutaj me disa foto si dëshmi ku shihet zarfi me para në sirtarin e zyrës së tij. Seanca e radhës ku do të jepen fjalët përfundimtare u caktua më 20 prill 2016, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së prokurores Sahide Gashi, i akuzuari Ahmet Mahmutaj, derisa kishte shërbyer si Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Pejës, kishte shpërdoruar detyrën zyrtare, duke marr ryshfet për të lejuar mbindërtimin e një kati të një objekti afarist shumëbanesor në Pejë. Ky ryshfet, sipas prokurorisë, ishte pranuar nga Mahmutaj më 3 shtator 2013 nga Shërbim Berisha, i cili kishte bashkëpunuar me policinë dhe kishte simuluar, duke ia ofruar 5000 euro në një zarf dhe duke ia lënë në zyrën e tij. Pas pak në zyrën e të akuzuarit Mahmutaj kishin shkuar policia dhe kishin gjetur zarfin me para, të cilat pretendojnë se i kishte marrë ryshfet për të lejuar mbindërtimin, duke shpërdoruar detyrën zyrtare.

Aktakuza është e ndërtuar mbi këtë provë të simulimit dhe dëshmisë së dëshmitarit Shërbim Berisha. Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Mahmutaj, avokati GëzimKollçaku, ka kundërshtuar aktakuzën, duke thënë se ajo mbështetet vetëm në deklaratën e të dëmtuarit Shërbim Berishës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë