JEP MBROJTJEN EDHE I AKUZUARI I TRETË PËR PËRVETËSIM GJATË USHTRIMIT TË DETYRËS NË FIRMËN “BELKOS”

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – I akuzuari Besnik Jashari ka dhënë mbrojtjen e tij të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë rreth pretendimeve të firmës “Belkos”, për të cilën akuzohet për “përvetësimin gjatë ushtrimit të detyrës” së bashku me dy të akuzuarit e tjerë Ismet Jashari dhe Ardian Sadiku.

Gjatë mbrojtjes së tij, Besnik Jashari tha se të gjitha këto pretendime dhe akuza ndaj tyre kanë ardhur pasi është punësuar në firmën “Belkos” një i afërm i Shamiut, e të cilin e kishin caktuar që ta mbuloj terrenin, ku më parë të njëjtin terren e kishte mbuluar vetë Jashari. Ai tha se pas largimit të tyre nga puna, ka qenë Berkani, njëri nga drejtorët ai që ka kërkuar që së bashku ta mbledhin borxhin e mbetur dhe të bëhet barazimi me pagesat që kanë qenë në pritje, të cilat u janë lëshuar porositësve të mallit nga marrësi i porosisë, përkatësisht nga firma “Belkos”.

Në gjykimin e udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, Jashari tha se ka qenë ndër punëtorët më të mirë në firmë dhe se asnjëherë nuk kanë pasur vërejtje nga drejtori dhe menaxheri i “Beloksit” dhe ndërprerja e punës ka ardhur si pasojë e asaj që i njëjti ka kundërshtuar që ta kryej një detyrë pas orarit të punës që i është dhënë nga Shamiu. Kjo detyrë sipas tij ka qenë pasi kjo firmë ka prodhuar një seri bonbonjerësh me datë të prodhimit të ndryshëm nga çka ishte në realitet dhe njërën nga ditët Shamiu e kishte telefonuar të njëjtin për t’i thënë që ta tërheqë prapa mallin me këta bonbonjer pasi mund t’i dënonte inspeksioni për një gabim të tillë.

Sipas aktakuzës së 24 nëntorit 2014, të pandehurit Ismet Jashari, Ardian Sadiku dhe Besnik Jashari, akuzohen për kryerjen e veprës penale ”përvetësimi në detyrë”. Në dispozitiv thuhet se Ardian Jashari sa ishte duke punuar si menaxher i kompanisë ”Belkos” SH.P.K. në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar pasurinë e të njëjtës kompani nëpër qendra të ndryshme tregtare në Lipjan, Prishtinë dhe në Mitrovicë dhe atë në shumën prej 3.744,31 euro. Ndërsa Ardian Sadiku si komercialist në kompaninë “Belkos”, ka përvetësuar mjete nga kompania në fjalë nëpër qendra të ndryshme tregtare në Lipjan, Prishtinë dhe në Mitrovicë, në shumën prej 1.893,63 euro, para të cilat i ishin besuar të njëjtit për shkak të pozitës së tij. Në anën tjetër, Besnik Jashari si komercialistit dhe kontabilist në këtë kompani në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar shumën prej 1.607,14 euro në territorin e Prishtinës dhe Mitrovicës.

Seanca e radhës, ku do të jepen fjalët përfundimtare do të mbahet më 6 shtator 2016 me fillim në orën 14:00.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë