JEP MBROJTJEN E TIJ DOGANIERI I AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Iljaz Kapllani, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si doganier.

Në këtë seancë, prokurori i çështjes, Sefer Morina, ka hequr dorë nga shikimi i video-incizimit nga vendi i ngjarjes, me arsye se nuk është kontestuese asgjë që mund të përmbajë incizimi dhe më pas është vazhduar me leximin e provave materiale nga shkresat e lëndës, ndër të cilat ishte deklarata personale e të dëmtuarit mbi mallin e importuar, raporti i punës së ditës kritike, foto-dokumentacioni, deklarata e të dëmtuarit, raporti policor.

Poashtu në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari, Iljaz Kapllani, i cili ndër të tjera ka thënë se në bazë të Ligjit mbi Doganat dhe Akcizën, ai ka pasur të drejtë që të vlerësojë mallin e importuar nëse i nënshtrohet pagesës apo jo, poashtu ka konsultuar edhe shefin e tij në raste të caktuara, që sipas tij, i njëjti i ka thënë se nëse malli nuk ka vlerë ta fotokopjojë deklaratën personale dhe ta lirojë palën nga pagesa e doganës. Më tej ka shtuar që gjatë tërë kohës së bashku me të ka qenë edhe një zyrtar policor dhe se kishte bërë kontrollimin detal të automjetit dhe kishte konstatuar se ishte i njëjti mall si në deklaratën personale.

Më tej i akuzuari ka theksuar se vlera e krejt mallit nuk i ka kaluar 170 euro dhe se kur ndahet në tre persona sa ishin në automobil, i bie secilit nga 50-60 euro, ndërsa sipas tij, malli me vlerë deri në 175 euro nuk i nënshtrohet pagesës doganore, në rastin konkret malli kishte qenë i dëmtuar dhe i akuzuari e ka përgjysmuar vlerën e tij, ndërsa në fund ka mohuar të ketë marrë para nga i dëmtuari dhe ka shtuar se nuk ka logjikë që një person te jep korrupsion 165 euro për një mall që edhe po të doganohej nuk do ti kushtonte më shumë se 50 euro.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Ajser Skenderi, me pajtimin e palëve ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e  të njëjtit e ka caktuar për 19 korrik 2016, në ora 14:30, ku do të jepen fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Më 17 qershor 2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ilaz Kapllani, të cilin e akuzon se më 28 mars 2014, rreth orës 23:00, duke qenë në orar të punës si zyrtar doganor, me qëllim të përfitimit material për vete, i mundëson të dëmtuarit V.G. që të kalojë kontrollin doganor të mallrave që kishte në automjetin e tij “Transporter – Pick-up” dhe në vend të pagesës për doganën e mallrave të përcaktuar me ligj, ai në emër të doganës i kërkon atij shumën e parave prej 165 Euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë