JAPIN MBROJTJEN TË AKUZUARIT PËR KORRUPSION NË PROKURIMIN E KOMUNËS SË PEJËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të enjten, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, kundër Xhemë Berishës në cilësinë e personit zyrtar-Menaxher i Zyrës së Prokurimit në KK Pejë, i akuzuar për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit, si dhe Kujtim Selmanajt, i akuzuar për dy vepra penale keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi dhe cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës. Në këtë seancë kanë dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit, të cilët u përgjigjën në shumë pyetje të avokatëve mbrojtës dhe prokurores së rastit.

Në lidhje me Raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Pubik, të 30 marsit 2016, prokurorja e shtetit Sahide Gashi tha se gjykata nuk duhet t’a administroi si provë materiale, për faktin se është lëshuar nga organi që më herët ka lëshuar konstatime diametralisht të kundërta mes vete. Edhe përfaqësuesi i Komunës së Pejës, Muharrem Shala tha se vlerësimi i dokumentacionit për administrim si provë materiale është në kompetencë të gjykatës, por shtoi se i bashkangjitet konstatimit të prokurores dhe kundërshtoi administrimin e tij në këtë procës gjyqësor

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës Gëzim Kollçaku dhe Haxhi Çekaj, kundërshtuan deklarimin e prokurores për mosadministrim të raportit të KRPP-së, për faktin se pikërisht me kërkesë të prokurores është sjellur ky raport në gjykatë.

Duke vendosur për raportin e KRPP-së, trupi gjykues mori aktvendim për pranimin e tij si provë materiale në shqyrtim gjyqësor.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me leximin e provave materiale, ku palët në procësurë nuk patën vërejte në provat e administruara nga gjykata.

Më pas, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Xhemë Berisha, i cili në pyetjen e avokatit mbrojtës Gëzim Kollçaku se a ka dhënë deklaratë në lidhje me këtë rast, para ngritjes së aktakuzës, i akuzuari Berisha tha se ka dhënë deklaratë në polici, por jo edhe në prokurori dhe se për aktakuzën ka marr vesh vetëm pas ngritjes së saj. Në pyetjen e avokatit Kollçaku për lidhjen e kontratës me NTSH “Network”, i akuzuari Berisha tha se në kohën kur ka qenë Menaxher i Prokurimit në KK Pejë, kanë lidhur kontratë për shërbime me ketë firmë, e cila ka pasur të bëjë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e objektve administrative të KK Pejë. Tutje, i akuzuari tha se përgjegjës për mbikëqyrjen e asaj kontrate kanë qenë katër menxaher nga drejtoratet përkatëse të komunës, e të cilët duhet të raportojnë në rast të mospërmbushjes së obligimeve nga kontrata. “Unë si Menaxher i Prokurimit nuk kam pasur të drejtë t’ia ndërpresë kontratën operatorit ekonomik, në rastet kur nuk kam vërejtje me shkrim nga menaxherët e projektit” tha i akuzuari Berisha. Në pyetjen tjetër të avokatit Kollçaku, nëse kontrata me NTSH “Network” ka shkuar deri në fund, i akuzuari Berisha tha se kontrata është shkëputur para kohe dhe atë pas kërkesës së vet kompanisë, për shkak se komuna ka ngecur me kryerjen e pagesave për shërbimet e kryera.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Sahide Gashi, se a kanë nënshkruar kontratë me NTSH “Network”, i akuzuari Berisha tha se është e vërtetë që KK Pejë ka nënshkruar kontatë me këtë kompani më 15 shtator 2010. Në pyetjen e prokurores nëse komuna ka qenë në dijeni se NTSH “Network” e kishte të bllokuar llogarinë bankare në kohën kur e ka fituar tenderin, i akuzuari tha se shpallja e tenderit është bërë dy muaj e gjysmë para nënshkrimit dhe në atë kohë kompania i ka pasur në rregull të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Tutje, i akuzuari tha se komuna nuk ka mekanizëm për përcjelljen e të gjitha veprimet e institucioneve tjera, të cilat mund t’ia bllokojnë apo jo të llogaritë bankare operatorëve ekonomik.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Kujtim Selmani, i cili në pyetjen e avokatit mbrojtës Haxhi Çekaj për kriteret e kontratës me KK Pejë, i akuzuari Selmani tha se me rastin e nënshkrimit të kontratës për shërbime me komunën, ata i kanë pranuar të gjitha obligimet që i ka vendosur komuna. “Konsideroi se i kemi përmbushur të gjithë obligimet në bazë të kontratës, ndërsa është pikërisht KK Pejë ajo e cila nuk i ka përmbushur obligimet ndaj NTSH “Network”, sa i përket pagesave për shërbimet e marra”, tha i akuzuari Selmani. Në pyetjen tjetër të avokatit Çekaj, se si erdhi deri te shkëputja e kontratës me KK Pejë, i akuzuari tha se ata kanë kërkuar shkëputjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga komuna, të cilët e kanë pranuar dhe nga 30 gushti 2012 kontrata ka qenë e shkëputur mes kompanisë dhe komunës së Pejës. Tutje, i akuzuari Selmani tha se ndrrimi i emrit të kompanisë nuk ka ndodhur ashtu siç përshkruhet në aktakuzë, por ka ndodhur bashkim i veprimtarive biznesore të tri subjekteve afariste në një të vetme, ku pas bashkimit i kanë njoftuar të gjitha subjektet me të cilat kanë pasur bashkëpunim, përfshirë edhe KK Pejë.

Në pyetjen e prokurores Sahide Gashi, nëse me kontratën e nënshkruar është marr obligimi për mbajtjen në punë të gjithë punëtorëve, i akuzuari Selmani tha se është e vërtetë se kanë marr një obligim të tillë dhe e kanë realizuar me përpikëri. Tutje, i akuzuari tha se me përjashtim të 2-3 rasteve kur kanë pasur vonesa në kryerjen e pagesave, të gjitha obligimet tjera i kanë realizuar me rregull. “Është e vërtetë që edhe pas bashkimit të bizneseve, KK Pejës ka vazhduar kryerjen e pagesave për punët dhe shërbimet e kontraktuara dhe atë në llogari të biznesit me emër të ri”, tha i akuzuari Selmani.

Seanca e ardhshme u caktua për 21 prill 2016, ku palët do të japin fjalët përfundimtare.

Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, me arsyetimin se i akuzuari Xhemë Berisha në cilësinë e personit zyrtar-Menaxher i Zyrës së Prokurimit në KK Pejë, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, gjatë ekzekutimit të kontratës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të administratës komunale, institucioneve shëndetësore, arsimore dhe kulturore, edhe pse firma NTSH “Network” nuk i ka përmbushur obligimet e marra në kontratë për pagesën e obligimeve tatimore, me ç’rast ATK i’a bllokon xhirollogarinë, i njejti e ndërron emrin në “Selmans Network” dhe hap xhirollogari të re. Me këtë rast, i pandehuri në vend se ta shkëpusë kontratën, i urdhëron thesarin që të vazhdoi pagesën, tani me emër të ri në shumën prej 106 609.53€. Ndërkaq, gjithmon sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri Kujtim Selmanaj prej datës 16 mars 2012 deri më 25 maj 2012, me qëllim të realizimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për subjektin e tij afarist NTSH “Network”, nuk i ka kryer obligimet tatimore të përcaktuara me ligj në shumën prej 99 289.33€, për çka ATK-ja i bllokon xhirollogarinë, kurse i njejti i ndërrron emrin subjektit në “Selmans Network” NTSH dhe hap xhirollogari të re. Tutje me datë 1 shkurt 2012, me vetëdije nuk e ka zbatuar Ligjin e Punës dhe ka shkelur kontratën e lidhur me KK Pejë, në atë mënyrë që nuk i ka paguar shumicën e pagave të punësuarve dhe pagesat në Trustin Pensional të Kosovës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë