JAPIN MBROJTJEN KRYETARI I KOMUNËS SË PARTESHIT DHE DREJTORI I ADMINSTRATËS

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan- Kryetari i Komunës së Parteshit, Dragan Nikoliq dhe Drejtori i Administratës në këtë Komunë, Dragan Stankoviq, kanë dhënë mbrojtjen e tyre në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan. Dy të lartpërmendurit akuzohen se kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’ dhe ‘cënimi i të drejtave në mardhëniet e punës’.

I akuzuari Dragan Nikoliq, gjatë marrjes në pyetje deklaroi se në pozitën e Kryetarit të Komunës së Parteshit ishte nga 1 janari 2014, dhe se të dëmtuarit Milica Jovanoviq, Zllatka Saviq, Bojan Joviq dhe Stojadin Bujiq i  njeh sepse të njëjtit janë puntorë të Komunës. Sipas Nikoliqit, të dëmtuarve nuk i’u është ndërprerë kontrata e punës, por i’u kanë skaduar. Megjithatë vazhdimi i kontratave të tyre nuk është bërë me arsyetimin se vlersimi i punës së tyre ka qenë negativ si dhe se ata nuk ishin të kualifikuar për ato pozita. I akuzuari Dragan Nikoliq theksoi se Këshilli i Pavaruar Mbikqyrës ka sjellë  një vendim dhe ai si Kryetar i Komunës e ka respektuar atë.

Ndërkaq, i akuzuari Dragan Stankoviq, shtoi se të gjithë të dëmtuarit janë kthyer në punë dhe të njëjtit i gëzojnë të gjitha të drejtat sikurse puntorët e tjerë. Sipas tij, arsyeja pse nuk po  i paguajnë të ardhurat  e mbetura për të dëmtuarit është për shkak të buxhetit.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës  së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj Dragan Nikoliq dhe Dragan Stankoviq, të ciliët akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim  pozitës apo autoritet si dhe cënim i të drejtës në marrëdhëniet e punës. Sipas aktakuzës, Dragan Nikoliq duke qenë në pozitë të Kryetarit të Komunës së Parteshit  ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që katër zyrtarëve të Komunës së Parteshit u’a kishte  ndërprerë marrëdhëniën e punës. Ndërkaq, Dragan Stojoviq duke qenë në pozitën e drejtorit të Adminstratës në Komunë e Parteshit nuk ka vepruar sipas vendimeve të Këshillit të  Pavarur Mbikqyrës  për shërbime civile.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë