JAPIN MBROJTJEN TRE TË AKUZUARIT PËR KRIM TË ORGANIZUAR, SHPËRLARJE PARASH DHE MUNDËSIM I PROSTITUCIONIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj  – Në Gykatën Themelore në Ferizaj, të hënën, kanë dhënë mbrojtjen para trupit gjykues Agron Aliaj, Ilir Rexhepi dhe Avni Xheladini, të cilët akuzohen për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërlarje parash” dhe “mundësimi i prostitucionit”. Gjatë kësaj seance i akuzuari Agron Alaj tha se do të vazhdoj të mbrohet në heshtje, kurse dy të akuzuarit e tjerë Avni Xheladini dhe Ilir Rexhepi janë deklaruar, siç thanë ata, në kuptim të mbrojtjes së tyre.

I akuzuari Rexhepi, mbeti pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimet paraprake, mirëpo prokurori i EULEX-it Tuomas Oja, i ka parashtuar pyetje shtesë, lidhur me atë se a kishte qenë ai apo ndonjë anëtarë i familjes së tij gjatë periudhës sa gjendet në burgim i kërcënuar prej dikujt nga jashtë. I akuzuari u deklarua se nuk mund të thotë se ka qenë i kërcënuar, mirëpo tha se kishte pasur vizita, dhe atë një ditë para dhënies së deklaratës  së parë në gjykatë, ku vëllai i të akuzuarit Agron Alaj, Mustafë Alaj, e kishte vizituar dhe i kishte thënë që, nëse ka mundësi, mos të pranoj diçka në gjykatë. Por, ai tha se fjalët e tij nuk kanë pasur asnjë ndikim tek ai sepse ato çfarë ka pasur i ka deklaruar.

I akuzuari tjetër, Avni Xheladini, gjatë deklarimit të tij u morr në pyetje më gjatë nga ana e prokurorit Oja, pasi që i njëjti tha se dëshironte të sqarohej për të gjitha provat drejtëpërdrejtë me të akuzuarin. Prokurori gjatë gjithë kohës e ka ballafaquar të akuzuarin me prezantimin e fotove, pasqyrave të llogarive bankare, si dhe me deklaratat e të akuzuarit të dhëna si në polici, prokurori ashtu edhe në shqyrtimet gjyqësore.

Kryetar i trupit gjykues Agim Maliqi, pas dakordimit me palët, seancën e rradhës e ka caktuar më 30 mars 2016, ku palët do të japin fjalën përfundimtare.

Ky rast zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i EULEX-it, Tuomas Oja. Sipas pikës 1 të aktakuzës, Agron Alaj akuzohet se ka kryer veprën penale “krimi i organizuar”,  pasi në periudhën mes shkurtit 2005 dhe 5 majit 2012, në motelin “NATA” , më herët i quajtur “Amsterdam”, “Groningen” dhe “Moulin Rouge”, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj (Prelez i Muhaxherëve), si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal kishte themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar dhe drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal, duke kryer vepra penale të “mundësimit të prostitucionit” dhe “shpërlarjes së parave” dhe si rezultat, kishte siguruar në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë, shuma të mëdha të përfitimeve materiale si përfitime nga vepra penale.

Ilir Rexhepi dhe Avni Xheladini, sipas pikës 2 të aktakuzës, akuzohen se kanë kryer veprën penale “krimi i organizuar në bashkëkryerje”, pasi gjatë periudhës së qershorit 2005 dhe majit 2012, si anëtarë të një grupi të organizuar kriminal,  kishin marrë pjesë në mënyrë aktive dhe kishin ndihmuar në kryerjen e një vepre penale të “mundësimit të prostitucionit”. Rexhepi, sipas aktakuzës gjithashtu akuzohet se kishte ofruar mjetet materiale dhe instrumentet e nevojshme për një vepër penale, duke siguruar objektin e motelit “NATA” për prostitucion.

Ndërsa, Avni Xheladini , akuzohet se kishte organizuar dhe kontrolluar femra të huaja për qëllime të prostitucionit. Kur këto femra punonin në motelin “NATA”, kanë siguruar ‘mbrojtjen’ dhe ‘vëzhgimin’ e këtij moteli, kanë mbledhur përfitimet e paligjshme dhe kanë kryer detyra të tjera të dhëna nga Agron Alaj.

Si rezultat i kësaj, Ilir Rexhepi dhe Avni Xheladini kanë përvetësuar, siguruar dhe poseduar në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë, shuma të mëdha të përfitimeve materiale që burojnë nga kryerja e veprës penale të shpërlarjes së parave.

Sipas pikës 3 të aktakuzës, të tre këta persona, akuzohen për veprën penale të “mundësimit të prostitucionit” në bashkëkryerje pasi të vetdijshëm, kishin siguruar objektin, kishin rekrutuar, kishin organizuar, kishin kontrolluar dhe kishin ndihmuar personin tjetër për qëllime të prostitucionit.

Sipas pikës 4 dhe 5 të aktakuzës , të akuzuarit Agron Alaj dhe Avni Xheladini akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shpërlarje parash”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë