JAPIN MBROJTJEN E TYRE TË AKUZUARIT PËR KEQPËRDORIM NË KOMPANINË “QABRATI” NË GJAKOVË

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjakovë – Gëzim Qarri dhe Xhafer Shyti, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kanë dhënë versionet e tyre në seancën e mbajtur të enjtën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

I akuzuari Gëzim Qarri deklaroi se gjatë peridhës për të cilën akuzohet, ka qenë duke punuar si udhëheqës financiar në kompaninë K.R.M. “Qabrati”. Ai tregoi procedurën se si kompania është furnizuar me naftë nga operatori ekonomik “B3 Benz”. “Operatori ka qenë i obliguar sipas kontratës, ta përcjellë çmimin në berzë dhe të na njoftoj edhe neve për ndryshime. Me kontratë ka qenë çmimi fiks, por në atë kohë, çmimi është ngritur dhe varësisht prej ndryshmit të çmimit, na është faturuar nafta” ka thënë ai. Sipas tij, nga ky ndryshim i çmimit ka dal diferenca prej 201.34 euro, shumë kjo për të cilën akuzohet ai dhe Xhafer Shyti.

Edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Xhafer Shyti tregoi se gjatë periudhës për të cilën po akuzohet, ka punuar në K.R.M. “Qabrati”si projekt menaxher për furnizimin e derivateve. Ai gjithashtu shtoi se me ndryshimin e çmimit në berzë, ka ndryshuar edhe çmimi i naftës me të cilin jemi furnizu. “Gjatë vitit 2013-2014, kohë kjo kur ne po akuzohemi ka pasur luhatje të çmimit dhe si pasojë ka dalë kjo diferencë prej 201.34 euro në fatura”, theksoi ai.

Gjatë kësaj seance u dha edhe fjala përfundimtare e palëve pjesëmarrëse në procedurë. Prokurori Agron Matjani, në fjalën e tij përfundimtare, kerkoi nga trupi gjykues që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit, me arsyetimin se  në bazë të provave dhe ekspertizës financiare del se të dy kanë kryer veprën penale me të cilën i ngarkon aktakuza.

Kërkesën e prokurorit e kundërshtoi avokati mbrojtës, Teki Bokshi, i cili tha se në bazë të dhënave dhe provave të ekzaminuara, del se aktakuza nuk është e bazuar në fakte. “Nuk janë vërtetuar asnjë nga elementet e veprës penale të cekura në aktakuzë, ashtu siq është konstatuar nga provat materiale. Andaj kërkoj nga gjykata që të akuzuarit ti liroj nga aktakuza”, shtoi Bokshi.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve Qarri dhe Shyti do të shpallet më 22 maj, në ora 9:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë