JAPIN FJALËT PËRFUNDIMTARE NË RASTIN KUNDËR ISH-DREJTORIT TË URBANIZMIT NË PEJË

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën, para kryetares së trupit gjykues Lumturije Muhaxheri është mbajtur seanca e fjalës përfundimtare, në lëndën e ish-Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejës Ahmet Mahmutaj, i akuzuar për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Prokurorja e shtetit, Sahide Gashi, në fjalën përfundimtare tha se është botërisht e ditur që të gjitha krimet sa i përket ndërtimeve bëhen kur vjen puna tek etazhet, e kështu ka ndodhur edhe në rastin konkret. Sipas saj leja e ndërtimit për objektin në fjalë është dhënë për pesë kate, kurse për një katë më shumë ndërtuesve i janë kërkuar 5.000,00 euro. “Shumën prej 5.000,00 euro i dëmtuari, pas akordimit me policinë, i dërgon në zyren e të akuzuarit, ndërsa gjatë bastisjes të njëjtat para janë gjetur nga policia” tha prokuroria Gashi. Kërkesa e saj ishte që i akuzuari Ahmet Mahmutaj të dënohet në pajtim me dispozitat ligjore, si dhe t’i shqiptohet masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Nga ana tjetërm mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Mahmutaj, avokati Gëzim Kollçaku, në fjalën përfundimtare tha se dispozitivi i aktakuzës është i paqartë dhe i pakuptimtë, për faktin se nuk është sqaruar se për çfarë shkeljesh bëhet fjalë. Ai shtoi se edhe nga deklarimet e dëshmitarëve është parë qartë se paratë ishin për një person tjerë dhe jo për klientin e tij. Me këtë rast, Avokati Kollçaku kërkoi nga trupi gjykues që t’a lirojnë të akuzuarin me arsyetimin se asnjë veprim i të akuzuarit nuk paraqet elemente të veprës penale.

I akuzuari Ahmet Mahmutaj, tha se e tërë akuza kundër tij është ngritur me një arsye të caktuar dhe mbi dëshminë e një dëshmitari të prokurorisë. Sipas tij, i njejti dëshmitar ka dhënë deklarata kundërthënëse, ku tjetër deklaratë ka dhënë në polici dhe prokurori, ndërsa tjetër deklaratë në seancë gjyqësore. “Asnjëherë nuk kam kërkuar dhe as nuk kam pranuar para, por as nuk kam shkelur detyrat e punës për para apo ryshfet” përfundoi ai.

Me përfundimin e dhënies së fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë,  kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, kërkoi nga prokurorja  që në afat prej shtatë ditësh t’i sjellë në gjykatë disa prova shtesë, të cilat gjykata nuk i posedon, por që gjatë fjalës përfundimtare u përmendën nga pala mbrojtëse. Prandaj dhe seanca e ardhshme për këtë rast do të caktohet pasi gjykata ti ketë në posedim ato.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, në të cilën thuhet se i akuzuari Ahmet Mahmutaj, në cilësi të drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Pejës, me datë 3 shtator 2013, drejtëpërdrejtë ka kërkuar përfitim për vete, në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij. Kjo ka ndodhur në atë mënyrë që për lejimin e mbindërtimit në objektin afarist shumë-banesor, pasi takohet me të dëmtuarin si pronar i objektit i kërkon shumën e të hollave prej 5.000,00 euro, të cilat i dëmtuari i’a dërgon në zyren e tij të mbyllura në zarf. Mirëpo, për një gjë të tillë ishte njoftuar më herët policia, të cilët menjëherë pas dhënies së zarfit me para ndërhyjnë dhe të hollat në fjalë gjenden në tavolinën e të pandehurit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë