Japin dëshmitë tre dëshmitarë në rastin e inspektorëve të akuzuar të Komunës së Prishtinës

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së premtes të zhvilluar ndaj inspektorëve të akuzuar të Komunës së Prishtinës, dhanë dëshmitë e tyre Behram Gashi, pronar i kompanisë për rrënimin e objekteve “Dardania”, si dhe Faik Rrapi dhe Ymer Veliu, ndërtues objektesh.

Në pyetjet e prokurores Drita Hajdari, se si ka shkuar procedura e rrënimit dhe kush i ka thirrur për rastet kur është dashur të rrënohet ndonjë objekt, dëshmitari Gashi tha se zakonisht kishin marrë thirrje përmes telefonit nga inspektorët ndërtimor siç janë Ismet Haliti dhe Skënder Canolli. “Kur kemi dal në terren, zakonisht njerëzit e komunës na kanë tregu çka me rrënu e çka mos me rrënu. Ka pas inspektor të ndryshëm, por zakonisht kanë qenë Ismeti dhe Skënderi”, tha dëshmitari Gashi. Tutje Gashi tha se ka pasur shumë raste kur gjatë rrënimit të ndonjë objekti pa leje, janë kërcënuar dhe janë rrahur punëtorët e tij edhe në prani të policisë.

Në fund, dëshmitari Gashi u obligua nga trupi gjykues, me kryetar Beqir Kalludrën, që në seancën e radhës t’i sjellë të gjitha procesverbalet e rrënimeve të objekteve dhe pagesat se si është paguar në këto raste kompania e tij.

Dëshmitari tjetër Ymer Veliu, bashkëpunëtor në kompaninë ndërtimore “Naki Trade” , në të cilën është pronar vëllai i tij, tregoi për problemet që ai i kishte pasur me Drejtorinë e Urbanizmit në lidhje me leje ndërtimore. Ai tregoi për dy objektet që i kishte ndërtuar firma “Naki Trade”, nuk kishin pasur leje por që ata i kishin ndërtuar objektet. “Gjatë punës tonë, kanë ardhë disa herë inspektorët me na ndalë punimet por ne prapë kemi vazhdu. Nuk ka qenë faji jonë sepse ata vet na e kanë vonu lejen e ndërtimit shkaku i neglizhencës së tyre. Ne është dashur që të vazhdojmë me ndërtime sepse ashtu ka qenë marrëveshja me banorët”, tha dëshmitari.

Veliu gjithashtu tha se objektin që ishin duke e ndërtuar në rrugën “Ardian Krasniqi”, e që i ishte ndaluar puna nga qeverisja e kaluar, e edhe tash nga “Vetëvendosje”, paguan qera vjetore për banorët që iu është marrë toka, në vlerë prej 48 mijë euro. “Nuk e di ku qëndron problemi. Gati të gjithë kanë marrë leje që ndërtojnë në Prishtinë, vetëm kompania jonë jo, edhe pse të gjitha kushtet i kemi plotësuar”, tha dëshmitari Veliu.

Dëshmitari Faik Rrapi, tregoi se kishte pasur leje ndërtimi. Ai tha se një nënkulm e kishte ndërtuar pa leje, por që e kishte bërë për të qenë objekti më i sigurt, që të bëjë ndërtesën me kulm e jo vetëm me izolim siç ishte paraparë në leje. Inspektorët e ndërtimit atij ia kishin ndaluar punimet, por ai tha se përkundër kësaj kërkese, kishte vazhduar dhe e kishte bërë me kulm objektin banesorë, sepse ashtu edhe kishin kërkuar banorët.

Prokuroria Speciale pretendon se të pandehurit Ismet Halili, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mergim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit. Ata akuzohen se nuk i kan parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve “Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”. Tutje të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve pasi që i njëjti pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë