Japin dëshmitë e tyre katër dëshmitarë ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli në Koretin të Kamenicës

153682832_163373078939356_3701255296958700079_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 23, 2021

Kamenicë – Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, kanë dhënë dëshmitë e tyre katër dëshmitarë, Salihe Kosumi, Flamur Isufi, Basri Myrtaj dhe Bekim Berisha, në rastin ku Ibrahim Osmani po akuzohet për vjedhje pylli.

Ai po akuzohet se në tetor të vitit 2019, në kohë të pavërtetuar në Koretin të Kamenicës, në vendin e quajtur “Kodra e Brahimëve”, me qëllim vjedhje në pyllin e pronës private të të dëmtuarës Salihe Kosumi, me sharrë motorike i ka prerë 43 copa trungje të llojit “bung”, me vëllim të përgjithshëm 3.94 m3, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë të papërcaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E dëmtuara Salihe Kosumi, në cilësinë e dëshmitares, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Bahtie Ademi dhe gjykatëses Valbonë Dërvodeli, ka deklaruar se ajo jeton në Kamenicë, mirëpo pronën e ka të trashëguar nga babai i saj në Koretin të kësaj komune, përkatësisht aty ka tokë dhe mal.

Ajo ka thënë se ditën kritike bashkë me motrën e saj kishin dalur për vizitë për të parë pronën e tyre në Koretin, dhe gjatë vizitës kishin parë se mali i tyre ishte i prerë, përkatësisht disa drunjë në atë pjesë.

“Kemi parë se në disa pjesë janë prerë drunjë, qashtu qysh e kam cekë në deklaratën në polici. Kam thirrë 112-shin, ka ardhë policia, dhe kam dhanë deklaratë. Të pandehurin nuk e kam njohur, mirëpo kam pas njohuri se i njëjti ka qëndru-banu në shtëpinë e axhës tim”, ka thënë e dëmtuara Kosumi.

Ajo ka thënë se nuk e ka parë askënd duke prerë dru në malin e saj, dhe për këtë gjë ajo ka thënë se nuk ka pasur dyshim në askënd, mirëpo rastin e ka lajmëruar në polici, kurse sa është dëmtuar ajo ka thënë se nuk e dinë pasi nuk është e kësaj lëmie.

Dëshmitari i dytë në këtë rast,  Flamur Isufi, duke dhënë dëshminë e tij ka thënë se të akuzuarin e njehë pasi është daja i tij, përkatësisht vëllau i nënës.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka biseduar se ku i akuzuari po i merrte drunjët, dhe se ka njohuri se të dëmtuarës iu ka prerë mali.

“Besim Krasniqi më ka thënë se qai që ka nejtë në shpi qaty te familjarëve të të dëmtuarës oshtë tu e pre malin. Në pjesën-lagjen e Brahimëve ka dru të llojit qarr e bung. Personalisht nuk e kam parë të akuzuarin duke prerë dru në pronën e të dëmtuarës”, ka thënë dëshmitari Isufi.

Tutje, në seancën e së martës ka dhënë dëshminë e tij edhe përgjegjësi i APK-së në Kamenicë, Basri Myrtaj.

Myrtaj ka thënë se ka njohuri se ku gjendet mali i Brahimëve, dhe se sipas tij ai është mal në pronësi private.

Ai ka deklaruar se me kërkesë të policisë kanë dalur në vendin e  ngjarjes për të parë dëmin e shkaktuar së bashku me komisionin që ishte formuar nga tre anëtarë.

“Kemi konstatu se ishin të prera 43 trungje lloj bungu. Drutë kanë qenë të prera në gjithë pyllin, jo me një vend të cilat janë prerë jashtëligjshëm pasi ne nuk kemi pas të evidentuar të jetë marrë leje për prerjen e tyre nga Autoriteti Pyjor Komunal”, ka thënë dëshmitari Myrtaj.

Bekim Berisha dëshmitar, dëshmitari i katërt në këtë rast, zyrtar policor, gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka deklaruar se ditën kritike kanë qenë duke patrulluar dhe se janë informuar nga baza se në fshatin Koretin, në lagjen e Brahimëve është një ankuese, dhe se bashkë me kolegë kanë shkuar atje ku edhe kanë takuar ankuesen në fjalë e cila kishte qenë së bashku me motrën e saj.

“Nga ajo kemi kuptu se bëhet fjalë për një vjedhje pylli. Së bashku me ankuesen kemi shku në vendin ku janë prerë drunjët, kemi bërë fotografimin e vendit të ngjarjes, gjithashtu e kemi intervistu palën ankuese. Pas kontaktimit me prokurorin kujdestar, na është urdhëruar që rasti të cilësohet si vepër penale “vjedhja e pyllit”, e që si rast t’i dedikohet Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor në Kamenicë, për arsye se për momentin nuk kishte të dyshuar”, deklaroi Berisha.

Ndryshe, para se je jepnin dëshmitë e tyre katër dëshmitarët, në seancën e së martës janë dhënë edhe fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

Gjykatësja Valbonë Dërvodeli, seancën tjetër për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 9 mars 2021, në ora 10:30.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Ibrahim Osmanit, me arsyetimin se ai më 15 tetor 2019, në kohë të pavërtetuar në Koretin të Kamenicës, në vendin e quajtur “Kodra e Brahimëve”, me qëllim vjedhje në pyllin e pronës private të të dëmtuarës Salihe Kosumi, me sharrë motorike i ka prerë 43 copa trungje të llojit “bungë”, me vëllim të përgjithshëm 3.94 m3, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë të papërcaktuar.

Me këtë, Ibrahim Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e pyllit”, nga neni 349 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi