Japin dëshminë paditësit në rastin ku të njëjtit po kërkojnë 30 mijë euro nga ish-presidentja Atifete Jahjaga për shpifje dhe fyerje

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në seancën e së hënës, janë dëgjuar paditësit Xhelal Berisha dhe Arben Berisha në cilësi të dëshmitarit, ku të njëjtit kanë paditur ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga për shpifje dhe fyerje dhe po kërkojnë shumën e përgjithshme prej 30 mijë euro në emër të dëmit jomaterial.

Jahjaga është paditur nga vëllezërit Berisha për shpifje, pasi që kishte deklaruar se e mbijetuara e masakrës së kësaj familje, Shyhrete Berisha, “është nxjerrë zvarrë nga shtëpia, ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Në këtë seancë ka prezantuar përfaqësuesja e paditësve, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, e cila ka thënë se e ka dorëzuar në gjykatë precizimin e kërkesëpadisë në aspektin objektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta ka propozuar që  në këtë seancë, të dëgjohen paditësit Berisha në cilësi të dëshmitarëve, rreth deklaratave të pavërteta të bëra nga Jahjaga ndaj familjes Berisha.

Në anën tjetër përfaqësuesja e ish-presidentes Jahjaga, avokatja Gerta Ragipi, ka thënë se e kundërshtojnë precizimin e paditësve dhe në seancë i ka dorëzuar gjykatës në kopje të mjaftueshme si provë artikullin në “Koha.net”, në të cilin Shyhrete Berisha ka deklaruar se Jahjaga e ka thënë një të vërtetë të hidhur.

Tutje, është dëgjuar paditësi Xhelal Berisha i cili ka thënë se me Shyrete Berishën kanë jetuar në një shtëpi bashkë mbi 18 vite dhe se e njëjta ka qenë gruaja e vëllaut të tij e me të nuk kanë pasur asgjë të keqe.

I njëjti ka deklaruar se fjalët e thëna në fjalimin e 20 marsit 2017 të Jahjagës, atë dhe familjen Berisha e kanë thyer psiqikisht dhe moralisht pasi që ato fjalë janë të pavërteta, e posaçërisht pasi që ajo e ka ditur historinë e familjes Berisha dhe masakrat që i janë bërë në luftën e fundit sepse të njëjtën e ka re të dajëve të babës.

Pas pyetjeve të avokates Ragipi, se a është në dijeni për deklaratën e zonjës Berisha e cila ka thënë: “Në lirinë e Kosovës, kurr nuk e kisha besu se kunati jem ma uzurton shpin, kujtimet e fëmijeve të mi dhe burrit tem e me më ngre zhag gjyqeve qe 18 vjet”, paditësi Xhelal Berisha ka thënë se nuk është në dijeni për këtë deklaratë.

Ndërsa paditësi Arben Berisha ka deklaruar se Shyreten e ka grua të axhës, dhe kanë pasur raporte të mira, ndërsa lidhur me fjalimin e të paditurës, ka thënë se ka qenë shumë e rëndë për të që një presidente të deklarohej në atë mënyrë për familjen e tij, duke ditur kontributin dhe sakrificën e tyre.

Po ashtu i njëjti ka thënë se ai dhe Xhelal Berisha janë palë në procedurën pronësore bashkë me Shyreten.

Ndërkaq, pas deklarimeve të paditësve, gjykatësi Dren Rogova e ka lejuar precizimin e padisë në aspektin subjektiv të 20 majit 2022.

I njëjti ka thënë se lidhur me vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor palët do të njoftohen në formë të shkruar.

Ndërsa, sipas precizimit të padisë së 20 majit 2022, në aspektin objektiv, Xhelal dhe Arben Berisha kanë paditur ish presidenten Atifte Jahjaga për shpifje dhe fyerje duke thënë se është e pamundur të caktohet vlera monetare nga ana e të njejtëve ndërsa në mungesë të ekspertizës përkatëse të caktohet nga gjykata.

Sipas precizimit të padisë thuhet se paditësit kërkojnë nga gjykata të vërtetohet përgjgjësia civile për shpifje dhe fyerje.

Po ashtu, sipas precizimit të padisë,  është kërkuar që të detyrohet Jahjaga që në emër të dëmit jo material paditësit Xhelal Berisha t’ia paguaj shumën e përgjithëshme prej 20,000.00 euro dhe ndërsa për paditësin Arben Berisha ti’a paguaj 10,000.00 euro, me kamatë sipas dispozitave të LMD-së, po ashtu shpenzime e procedurës.

Ndryshe, sipas padisë së 13 shtatorit 2017, paditësit Xhelal Berisha dhe Arben Berisha kanë paditur për shpifje dhe fyerje ish predisenten e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Në padi thuhet se Jahjaga gjatë javës së gruas në fjalimin e saj më 20 mars 2017 ka përmendur Shyrete Berishën – gruaja e vëllau të ndjerë e të paditurit Xhelal Berisha, si shëmbull se kinse të njejtës i janë shkelur të drejtat nga ana e ish familjes së burrit të vërarë në luftën e fundit në Kosovë.

Gjithashtu, sipas padisë, thuhet se Jahjaga gjatë fjalimit të lartëcekur ka dekalruar:”Si mundemi ne, respektuesit e kuotës së 30%-shit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që për një grua të hiqet ga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë- ia mori padrejtësisht”.

Tutje, sipas padisë, e paditura ka thënë se: “Shyrete Berisha ishte heqë zvarrë nga shtepia e saj” dhe “Aështë duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte”.Kështu duke shkaktuar dëm jomaterial në shkallë të madhe duke cënuar rëndë integritetin, dinjitetin dhe statusin shoqëror të familjes Berisha.

Lidhur me këtë në padi thuhet se Jahjaga ka paraqitur të pavërteta tjera, “Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave të burrnisë, të tradhtisë”.

Mbi këtë bazë, paditësit Berisha po kërkojnë të detyrohet e paditura Jahjaga që paditësve në emër të kompensimit të dëmit jomaterial dhe material të shkaktuar për shkak të shpifjes t’ua paguaj shumën prej 250,000.00 euro si dhe kamatën, si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, sipas përgjigjes në padi të 2 nëntorit 2017, e paditura Jahjaga, askund në fjalimin e saj nuk i refefohet paditësve dhe se e njejta i referohet vetë fjalëve të Znj. Berisha të thëna publikisht. Po ashtu vërtetohet se padia e paditësve nuk është e bazuar në ligj dhe është bërë për arsye të përfitimit të padrejtë.

Mbi këtë bazë e paditura këtkon përmes përgjigjjes në padi që të hudhet poshtë kërkesëpadia e paditësve Berisha si e pabaze dhe që të njetit t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë