JAPET FJALA PËRFUNDIMTARE NË GJYKIMIN E GARDIANIT TË BURGUT TË DUBRAVËS

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Seanca e paraprarë të filloi të martën në ora 08:30 kundër të akuzuarit për marrje ryshfeti, Shaqir Jahaj, filloi me gjashtë orë vonesë. Kjo erdhi si pasojë e kërkesës së prokurores Sahide Gashi, me arsyetmin se e njejta duhej të kryente disa kontrolla mjekësore.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, prokurorja Gashi prezantoi një raport nga evidenca e Burgut të Dubravës për rastet që janë gjetur me narkotik tek të burgosurit, i cili do të vërtetonte dispozitivin e dytë të aktakuzës. Lidhur me këtë raport, i akuzuari Shaqir Jahaj dhe avokati mbrojtës Shaban Jahaj deklaruan se i njëjti nuk ka të bëjë me këtë provë, andaj dhe propozuan që të mos administrohet si provë.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sami Sharraxhiu, refuzoi propozimin e prokurores dhe e njejta nuk mund të administohet si provë materiale.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me fjalën përfundimtare, gjatë se cilës prokurorja Gashi deklaroi se nga raportet policore që janë administruar si prova është vërtetuar se shumë më herët policia dhe prokuroria janë njoftuar se këtu i akuzuari ishte i dyshuar për futjen e sendeve tek të burgosurit, të cilat me ligj dhe rregullore janë të ndaluara. Tutje, ajo tha se gjatë zbatimit të hetimeve i akuzuari është zënë në flagrancë, për çka ka edhe prova të deponuara në gjykatë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaqir Jahaj, avokati Shaban Jahaj në fjalën përfundimtare deklaroi se akuza nuk është e bazuar në dispozitat ligjore. Avokati Jahaj potencoi faktin se gjatë seancëve të mbajtura për këtë rast, si dhe ndëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari nuk ka kryer veprën penale të ngarkuar në aktakuzë, duke i propozuar trupit gjykues që të njejtin në mungesë të provave ta liroi nga përgjegjësia penale.

Ndërkaq, i akuzuari Shaqir Jahaj në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se asnjëherë nuk ka futur telefona apo gjësende tjera në burg, si dhe mohoi pretendimin e prokurores të ketë qenë ndonjëherë i dyshuar apo i përcjellë nga ana e drejtorisë së burgut.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 6 maj 2016.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me arsyetimin se i akuzuari Shaqir Jahaj në cilësinë e personit zyrtar-Oficer Korrektues, në Qendrën Korrektuese në Dubravë, me datë 3 qershor 2014 përfiton për vete, në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të burgosurin Rushit Thaqi, nga familjarët e të njejtit merr shumën e të hollave prej 300.00 euro. Gjithashtu, gjatë periudhës kohore 2002-2014, në vazhdimësi pranon përfitim për vete, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, ashtu që pas marrëveshjes paraprake me të burgosurin Rushit Thaqi, për çdo shumë të parave të sjellura në burg merr për vete si shpërblim shumën prej 50.00 euro. Ndërsa, për çdo telefon celular që i’a ka sjellur të njejtit merr shuma të hollave prej 150.00 – 400.00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë