Jahir Hoxha dëshmon në rastin e OSHP-së  

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në gjykimin që po zhvillohet në rastin e njohur të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ku akuzohen Hysni Hoxha, Hysni Muhadri dhe Arsim Robelli, ka dëshmuar Jahir Hoxha. Dëshmitari Hoxha tha se kishin marrë pjesë në shpalljen e tenderit për ndërtimin e banesave në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Ai tha se kompania e tij “Jaha Group” dhe kompania “Beni Construction”, kishin konkurruar në këtë tender si konzorcium, por që ishin eliminuar për shkak se nuk e kishin plotësuar kushtin për çmimin më të lirë.

Ai tutje shtoi se pasi që ishte shpallur fituesi, ata si konzorcium kishin kërkuar qasje në dokumentacion të fituesit. Pasi analizimit të atyre dokumenteve, ata kishin vërejtur se kompania fituese e tenderit, “Conex Group”, nuk e kishte përmbushur kriterin e numrit të mjaftueshëm të punëtorëve.

Pas një hulumtimi që kishin bërë në dosjen e tenderit të kompanisë “Conex Group”, ata kishin gjetur që kompania fituese “Conex Group”, kishte pasur dallime mes listës së punëtorëve dhe pagesave të kontributeve pensionale për punëtor. Pas kësaj, ata kishin vendosur që të ankohen në OSHP.

Në atë kohë, dëshmitari Hoxha ishte takuar me tani të ndjerin Osman Kryeziun, i cili kishte qenë pjesë e panelit në OSHP. Ai i kishte treguar që nuk ka pasur verifikim zyrtarë nga ana e OSHP-së për kompaninë “Conex Group”.

Pas këtyre gjetjeve, dëshmitari Hoxha, tha sa kishin bërë padi në gjykatë, sepse e kishin konsideruar vetën si të dëmtuar në këtë rast, duke kërkuar kompensimin e dëmit.

Pasi që palët nuk kishin më pyetje, gjyqtari Arben Hoti, e ndërpreu seancën për të vazhduar me dëshmitarët e tjerë me 16 nëntor, në ora 10:00.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ngarkon të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.  Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e kishin kryer me 20 qershor 2013 , konkretisht Hysni Hoxha në cilësi të kryetarit të OSHP-së dhe njëherësh kryetarit të Panelit Shqyrtues të Prokurimit, ndërkaq Hysni Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së. Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, ku si pasojë, kompanisë së ndërtimit“Conex Group” më pronar Veton Fetahu, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.

Në këtë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hysni Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (më poshtë ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, kishte fshehur para dy panë listëve tjerë këto të dhëna kruciale. Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe ka urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”.  Lidhur me këtë, Hysni Muhadri, si eksperti për këtë çështje, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje sipas aktakuzës ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.

Në anën tjetër, aktakuza ngarkon dy të pandehurit Veton Fetahu si pronar të “Conex Group” dhe Arsim Robelli si kontabilist ekstern, se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka kontribuar në shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit nga PSHP.
Vetoh Fatahu poashtu ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi” meqë sipas dispozitivit ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para Panelit në mënyrë që të fitoj tenderin. Ndër të tjera, i njëjti akuzohet se ka nënshkruar deklarimin nën betim si pjesë e dokumenteve të dosjes së tenderit ku ka shpalosur mbi vete përgjegjësinë penale dhe civile nëse dorëzon dokumente të gabueshme apo mashtruese.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë