Iu caktohet paraburgimi rojës së pyllit që dyshohet për korrupsion dhe të dyshuarit se kontrabandoi drunjë nga Serbia

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të mërkurën, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji rojës së pyllit në Komunën e Kamenicës, M.A. dhe të pandehurit tjetër, N.K.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e masës në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M.A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, në Komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N.K., që të përfitojë duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, i pandehuri M.A. dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar’, ndërsa i pandehuri N.K. veprën penale “kontrabandim i mallrave”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.”, përfundon komunikata e Gjykatës së Gjilanit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë