Ismajl Rudari nuk e pranon fajësinë, mbrojtësi insiston se NLB nuk është trashëgimtare e Kasabankës

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- I akuzuar për veprën penale “përvetësim në detyrë”, Ismajl Rudari, ish-drejtor i ish-Kasabankës u deklarua i pafajshëm për akuzën që i ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Mbrojtësi i Rudarit, avokati Naser Sopjani deklaroi se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ka qenë drejtor apo punëtorë i NLB Bankës, pasi e njëjta nuk është trashëgimtare e Kasabankës, por është vetëm blerëse. “NLB Banka nuk mund të konsiderohet as si e dëmtuar, pasi nuk ka qenë pronare kurrë”, tha Sopjani në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

I njëjti shtoi se për shqyrtimin e dytë do t’i paraqesë kundërshtimet me shkrim e po ashtu do të paraqesë prova të reja.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Rudari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vet apo personin tjetër në periudhën kohore prej 1 shkurt 2003 e në vazhdimësi deri më 21 nëntor 2015, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht drejtor i ekspoziturës së bankës NLB, ka përvetësuar pasurinë e saj. Sipas aktakuzës, ai kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private përfshi: NTPSHP ”Beargo”, me seli në Pejë, në vlerë prej 159.193,83 euro, NTP “Irsija Cos, me seli në Lipjan, në shumën prej 8.169 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15.692,85 euro, NT “xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë në vlerë prej 91.013,69 euro, NTP “Altini Comerc, me seli në Lipjan, në vlerë prej 6604.16 euro. Sipas Prokurorisë, me lidhjen e këtyre kontratave të dëmtuarës NLB Bank, Sh.A Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë të përgjithshëm prej 305.420,71.

Seanca e shqyrtimit të dytë për këtë proces gjyqësor do të mbahet më 3 tetor 2016, duke filluar në orën 09:30.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë