Ishte dënuar për marrje ryshfeti, drejtori i shkollës në Malishevë kërkon lirim, rigjykim ose zbutje të dënimit

Izet Hoti Apel
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 9, 2019

Prishtinë – Drejtori i shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti, po kërkon nga Gjykata e Apelit, lirimin nga akuza ose anulimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, dhe rastin ndaj tij ta kthejë në rigjykim.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 26 prill 2019, të akuzuarin Hoti, e kishte shpallur fajtor, duke e dënuar me tetë muaj burg efektiv dhe 1000 euro gjobë, për marrje të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohej se kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Lidhur me këtë rast, të martën është mbajtur seanca nga kolegji i gjyqtarëve të Apelit, udhëhequr nga gjykatësja Hava Haliti, ku është shqyrtuar ankesa e mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati.

Me anë të kësaj ankese, ai ka kërkuar që Apeli, të akuzuarin Hoti ta lirojë nga akuza, ose ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe rastin ta kthejë në në rigjykim.

Kjo me pretendimin se me rastin e marrjes së këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike.

Po ashtu, përmes ankesës, ai ka kërkuar nga Apeli edhe zbutjen e dënimit, me pretendimin se dënimi i shqiptuar është shumë i ashpër.

Në ankesë thuhet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë ishte përpiluar në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që gjykata nuk ka arsyetuar në mënyrë të plotë se cilat fakte, i konsideron si të vërtetuara, pasi që sipas tij, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me pjesën e arsyetimit.

“Gjykata nuk arsyeton në mënyrë bindëse se cilat ishin provat vendimtare kur të akuzuarin e shpall fajtor për veprën penale si më lartë”, thuhet ndër të tjerash në ankesë.

Sipas kësaj ankese, gjykata e shkallës së parë, të dënuarin e kishte shpallur fajtor me vetëm një provë, me atë të dëshmitarit Gëzim Kastrati, dhe se me rastin e marrjes së aktgjykimit, nuk kishte vërtetuar elementin e dashjes.

Aty thuhet se shkalla e parë nuk ka arritur t’i vërtetojë drejtë faktet lidhur me veprimet inkriminuese të të akuzuarit.

Po ashtu, në ankesë thuhet se dënimi është shumë i lartë, kjo në prezencën e rrethanave lehtësuese, dhe  në mungesë të rrethanave rënduese.

Duke i propozuar gjykatës, që nëse rrethanat e cekura nuk kanë ndikim në ndryshimin e aktgjykimit, dënimin me burgim ta ndryshojë, duke i shqiptuar  një dënim më të ulët.

Lidhur me ankesën e ushtruar nga i dënuari, është përgjigjur edhe prokuroria, e cila ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, që ankesën ta refuzojë si të pabazuar.

Ndërsa, avokati Kastrati, gjatë seancës ka deklaruar se lidhur me pozitën e tij, i dënuari nuk ka vepruar si drejtor në kuptimin e vendimmarrjes, pasi që në rastin konkret ka vendosur komisioni, ndërsa sipas tij, drejtori ka biseduar vetëm lidhur me mbarëvajtjen e mbrëmjes së maturës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 26 prill 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin Izet Hoti, të cilin e kishte dënuar më tetë muaj burg efektiv dhe 1000 euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.

Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.  /BetimipërDrejtësi