Ish-zyrtari në KRU “Mitrovica” dënohet me gjobë për dy kontrata të lidhura pa procedura tenderuese

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Janar 13, 2020

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dymijë euro gjobë ish-zyrtarin financiar të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, Vehbi Braha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në vazhdim.

Fillimisht, i akuzuari Braha është dënuar me gjashtë muaj burg, mirëpo me kërkesën e tij, gjykata ia ka zëvendësuar në dënim me gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas kësaj, i pandehuri Braha, është obliguar edhe me 20 euro për paushallin gjyqësor, 50 euro për shpenzime procedurale dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.

Këtë aktgjykim e ka shpallur, gjykatësi Bekim Veliqi, pasi paraprakisht shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar më 10 janar 2020.

Në seancën e kaluar, prokurori Njazi Rexha, kishte rikualifikaur veprën penale nga dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdim.

Gjykatësi Veliqi, e ka njoftuar të akuzuarin se gjobën prej dymijë eurosh, mund ta paguajë në afat prej dy muajsh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa ka njoftuar se palët se kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 31 tetor 2018, Vehbi Braha, po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdim.

Sipas aktakuzës, më 8 gusht 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë financiar në këtë kompani, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i lejuar Driton Abazit blerjen e dy gomave të brendshme të ekskavatorit dhe mjete të tjera në vlerë prej 1.784.00 euro në D.P.Z “Merovci” në Mitrovicë, pa procedurë të prokurimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, ku përcaktohet se furnizimet/shërbimet mund të paguhen më para të gatshme kur vlera e tyre nuk e tejkalon totalin prej 100 euro.

Ndërkaq, në pikën II të aktakuzës, ai akuzohet se më 15 korrik 2014,  në cilësinë e njëjtë zyrtare, në bazë të kontratës për shërbime të telefonisë mobile të nënshkruar ndërmjet kompanisë “IPKO” dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, si abonues, nga “IPKO” është bërë dorëzimi i gjashtë telefonave të llojit “Samsung Galaxy S4” dhe 200 telefona të llojit “Samsung E 1200” në vlerë totale prej 6.102.00 euro, në kuadër të marrëveshjes së arritur, pa procedurë të prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik nr.04/L-42, ku përcaktohet se furnizimet/shërbimet mund të paguhen në para të gatshme kur vlera e tyre nuk e tejkalon totalin prej 100 euro. /BetimipërDrejtësi