Ish-zyrtari ligjor në “Raiffeisen Bank” pranon se pa autorizim kishte tërhequr 3500 euro nga llogaria e një kompanie

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 6, 2019

 


Prishtinë – Ish-zyrtari ligjor në “Raiffeisen Bank”, Granit Hyseni, e ka pranuar fajësinë që pa autorizim kishte tërhequr 3500 euro nga llogaria rrjedhëse e kompanisë “Patroni”.

Pranimin e fajësisë, ai e ka bërë në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi prokurori Arian Gashi e ka lexuar aktakuzën ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë edhe atëherë kur më kanë thirr jam deklaruar i gatshëm me i kthy ato pare që i kam marrë, koleget janë kallxu të drejt me mua. Ata kanë thënë se nëse i kthen paratë nuk të lajmërojmë, por unë atë kohë nuk kam mujt me i kthy paret”, ka thënë i akuzuari Hyseni.

Ai ka thënë se ndaj tij edhe më parë ishte zhvilluar procedurë penale për shkak të minueseve që kishin dalë në bankë, por tha se ato minuse kishin dalë pa vullnetin e tij.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Hyseni nuk e kundërshtoi prokurori Arian Gashi, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë ishte i vullnetshëm dhe i mbështetur në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Diamant Avdimetaj tha se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike për 3500 euro që ishin përvetësuar nga i akuzuari, ndërsa ia dorëzoi gjykatës aktgjykimin e 15 shtatorit 2014, në të cilin i akuzuari Hyseni, ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Hyseni dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 7 nëntor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, i akuzuari Hyseni përpos që nuk kishte të angazhuar avokat mbrojtës, ai nuk ishte pajisur me asnjë shkresë të lëndës dhe aktakuza i është dorëzuar në këtë seancë.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 8 dhjetor 2015, i akuzuari Granit Hyseni, akuzohej se në cilësinë e zyrtarit ligjor në “Raiffeisen Bank”, pa autorizim kishte tërhequr mjete monetare nga llogaria rrjedhëse e kompanisë “Patroni”, në data ta ndryshme.

Në aktakuzë thuhet se ai në tetor 2013, kishte tërhequr 1300 euro, ndërsa në nëntor 2013 fillimisht 1000 euro, pastaj 700 dhe 500 euro, me ç’rast të dëmtuarës “Raiffeisen Bank”, i kishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 3500 euro.

Prokuroria të akuzuarin Hyseni e ngarkon me veprën penale “Përvetësim në detyrë”. /BetimipërDrejtësi