Ish-zyrtari i QRA-së deklarohet i pafajshëm për dallavere lidhur me regjistrimin e automjeteve

20190415_112904
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Prill 15, 2019

Prizren – Zyrtari i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, Shkodran Baxhaku, i akuzuar për pesë vepra penale, tri ndër të cilat lidhen me korrupsion, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Ai akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, manipulim me prova, si dhe veprën penale, cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i kësaj çështje penale, Mehdi Sefa, i akuzuari Baxhaku, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për asnjë pikë të aktakuzës.

Më pas, gjykatësja Raima Elezi, e ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Skender Morina, se kanë afat që brenda jo më shumë se 40 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe provat.

Shqyrtimi i dytë për këtë rast, sipas gjykatëses Elezi, është caktuar më 16 maj 2019, prej orës 9:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 mars 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Shkodran Baxhaku, në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, duke e ngarkuar me pesë vepra penale.

Sipas organit të akuzës, ai akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, një vepër penale të manipulimit me prova dhe një vepër penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të të dhënave kompjuterike të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Baxhaku, më 5 shkurt 2018, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ Nr.16/2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, si dhe me qëllim të shmangies së shqiptimit të gjobës kundërvajtëse, në certifikatën e regjistrimit të automjetit e shënon tekstin si në vijim, ”automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk është e shkruar një gjë e tillë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se në periudhën kohore prej 3 nëntor 2016 deri më 18 shkurt 2017, në Prizren, i tejkalon kompetencat duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr.16/2016 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe për dy persona tjerë, në atë mënyrë që pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u mundëson personave tjerë përfitim në shumën prej 330 euro.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e ngarkon të pandehurin se me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, vërteton dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer për veprën penale të falsifikimit të dokumentit, nga neni 434 paragrafit 1. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, organi i akuzës, e ngarkon atë edhe për veprën penale “manipulimi me prova”, pasi që më 18 korrik 2018, në objektin e QRA në Prizren, ndryshon dhe heq printerin e markës “Epson” me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare, në atë mënyrë që edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës, në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët, e largon printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit  me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulimi me prova” nga neni 397 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën e fundit të aktakuzës, i akuzuari Baxhaku, ngarkohet se në periudhën kohore 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren, në cilësinë e personit  zyrtar, pa autorizim ndërhynë në baza të të dhënave kompjuterike të personit tjetër, dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike” nga neni 202 par. 4 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi