Ish-zyrtari i gjendjes civile në Bistricë të Leposaviqit mohon fajësinë për keqpërdorim detyre

mitro
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Dhjetor 13, 2019

Mitrovicë – Ish-zyrtari i gjendjes civile në fshatin Bistricë të Komunës së Leposaviqit, Nezir Aliu, në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e ka mohuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu, i pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Radulle Mladenoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aliu akuzohet se më 13 dhjetor 2013, kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, duke e pajisur një person me ekstrakt të lindjes në emër të Vaslije Bojoviqit, ndërsa Mladenoviq akuzohet se kishte ndihmuar atë, duke i ofruar certifikatën e vendbanimit dhe të lindjes në emër të Bojoviqit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Naim Beka, dy të pandehurit kanë deklaruar se ndihen të pafajshëm lidhur me këto vepra penale.

Gjykatësi Sinisha Mandushiq, i ka njoftuar të pandehurit me të drejtën e tyre që të paraqesin kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës brenda afatit prej 30 ditësh nga shqyrtimi fillestar.

Po ashtu, gjykatësi Mandushiq ka lajmëruar se seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet, ndërsa për kërkesat dhe kundërshtimet do të vendosë jashtë seancës gjyqësore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 2 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nezir Aliu dhe Radulle Mladenoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Nezir Aliu, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në fshatin Bistricë të Leposaviqit, me 13 dhjetor 2013, kishte nxjerr ekstraktin e lindjes në emër të Vaslije Bojoviqit.

Ai akuzohet se e kishte pajisur me këtë ekstrakt NN personin, deri me tani të paidentifikuar, kinse është Vasilije Bojoviq, e ku NN personi përmes ekstraktit të siguruar kishte nxjerr letërnjoftimin me të dhënat e Vasilije Bojoviq, me ç` rast kishte arritur që me këto dokumente të marr pensionin për gjashtë muaj nga 75 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, të pandehurin Aliu për nxjerrjen e ekstraktit të lindjes në emër të Vasilije Bojoviqit, e kishte ndihmuar i pandehuri Radulle Mladenoviq, me një certifikatë të vendbanimit dhe certifikatë të lindjes në emër të Vasilije Bojoviqit.

Me këtë, Aliu akuzohet me për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri tjetër Mlladenoviq, akuzohet për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 33 të KPRK-së /BetimipërDrejtësi