ISH-ZYRTARËT E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË KUNDËRSHTOJNË AKUZAT NDAJ TYRE

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, është mbajtur shqyrtimi dytësor ndaj të akuzuarëve Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhija Pacolli, Florije Tahiri, Remzije Thaqi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare përderisa të akuzuarit Arian Leshi dhe Shpend Agani kanë pranuar fajësinë lidhur me veprën penale Mashtrimi në detyrë si dhe Shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të akuzuarit Ilir Tolaj në cilësinë e Sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në Ministri të Shëndetësisë (MSH) dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurorimit në MSH gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011 në bashkëveprim duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” shpk Drenas me pronar Arian Leshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400.000.000 euro, dëm ky i shkaktuar buxhetit të shtetit. Prokuroria pretendon se të lartë përmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro. Nga ana e tjetër Haxhijaj, Thaqi dhe Tahiri si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës  pretendohet të mos kenë mbikëqyrur si duhet kontratën të lidhur me kompaninë “KMI” e në këtë mënyrë i kanë mundësuar të njëjtës manipulim me sasinë e barnave.

Ndërkaq pika e dytë e aktakuzës ngarkon Zenel Kuqin për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare me qëllim që kompanitë e caktuara të kenë përfitime materiale duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 276.307.97 euro.

Dispozitivi i fundit i aktakuzës ngarkon bashkëpronarët e “KMI” Leshin dhe Aganin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për puntorë të përcaktuara me ligj.

Ashtu si dhe është përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i kësaj lënde konsiston në paraqitjen e kundërshtimeve ndaj aktakuzës nga ana e mbrojtjës.

Këto kundërshtime ishin përpiluar me shkrim dhe pjesa dërmuese e tyre u pranuan nga Prokuroria pak para seancës. Andaj Prokurori Special Admir Shala kërkoi që përgjigjjet lidhur me këto kundërshtime t’i jep brenda afatit ligjor prej një jave.

Gjykata vendosi ta aprovoj këtë kërkesë dhe vendimin lidhur me vazhdimin e këtij procesi gjyqësor do t’a marrë me shkrim.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë