Ish-zëvendëskomandanti i Policisë në veri të Mitrovicës mohon fajësinë për keqpërdorim detyre

Nora Kelmendi- Rasti Darko Gusniq- Raporti per Web- 10 tetor 2018
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Tetor 10, 2018

Mitrovicë – Ish-zëvendëskomandanti i stacionit policor në veri të Mitrovicës, Darko Gusniq, i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, është deklaruar i pafajshëm, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur këtë të mërkurë, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Gusniq, po akuzohet se nuk i ka verifikuar shpenzimet e derivateve të naftës për automjetet policore, duke i sjellë dobi pasurore zyrtarit civil Dragan Komiroviq, e duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 9.146.01 euro.

Lidhur me këtë akuzë, i akuzuari Gusniq, para gjykatësit të rastit, Radosllav Markoviq, u shpreh se nuk ndihet fajtor për veprën penale me të cilën e ngarkon Prokuroria Themelore në Mitrovicë, duke u shprehur se të njëjtën ligjërisht nuk e ka kuptuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari Darko Gusniq, mohoi fajësinë, gjykatësi Markoviq, e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Agim Lushta, se shqyrtimi i dytë në këtë çështje penale nuk do të mbahet, por se të njëjtit kanë të drejtë në afat prej 30 ditësh të paraqesin kundërshtimet e tyre në raport me aktakuzën dhe provat e cekura në aktakuzë.

Përveç kësaj, pas përfundimit të seancës, i akuzuari Gusniq dhe mbrojtësi i tij, avokati Agim Lushta, gjykatësit të rastit iu drejtuan me kërkesë që organizatat joqeveritare të cilat kanë monitoruar dhe raportuar për këtë rast gjyqësor, të mos publikojnë emrin e plotë e të akuzuarit në fjalë me rastin e publikimit të raportimit.

Gjykatësi Radosllav Markoviq, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe më pas do të vendos për këtë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së precizuar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 3 shator 2018, Darko Gusniq, po akuzohet se në periudhën kohore, nga data 01 janar 2011 deri në muajin prill të vitit 2012, si person zyrtarë në stacionin policor në veri të Mitrovicës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Darko Gusniq si zëvendëskomandant, nuk i ka verifikuar shpenzimet e derivateve për automjete zyrtare të policisë, të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil, Dragan Kompiroviq.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Darko Gusniq, ka nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë, me ç’rast i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 9.146.01 euro.

Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç tij, i akuzuar për të njejtën vepër penale ka qenë edhe Bratisllav Kragoviq, por në seancën e mbajtur më 29 gusht 2018, prokurori i rastit, Ismet Ujkani, lidhur me të akuzuarin Kragoviq, ka thënë se me një vendim të 23 gushtit 2011, të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës, dhe sipas tij, veprimet e tij nuk përmbajnë elementet e veprës penale me të cilën e ngarkon aktakuza, e që supozohej se i ka kryer nga janari i vitit 2011 e deri në prill të vitit 2012.

Më këtë rast, prokurori Ujkani, ka deklaruar se tërhiqet nga ndjekja penale për këtë të akuzuar.

Po ashtu, Ujkani ka shtuar se sipas aktakuzës, për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të vjetër Penal të Kosovës, të cilën Kragoviq akuzohej se në periudhën 2011-2012, e ka kryer në bashkëkryerje me të akuzuarin Darko Gusniq, e njëjta sipas tij, ka arritur parashkrimin absolut, duke cekur më pas se dënimi për këtë vepër parashihej deri në tre vjet.

Përkundër kësaj, prokurori Ujkani, në atë seancë është shprehur se qëndron prapa aktakuzës dhe ndjekjes penale për të akuzuarin tjetër në këtë rast, Darko Gusniq, duke e ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal i Republikës së Kosovës.