Ish-togeri Menderes Sinani vazhdon mbrojtjen, për të akuzuarin tjetër arrihet parashkrimi absolut

IMG_1535
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Dhjetor 11, 2019

Ferizaj – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka vazhduar të jep mbrojtjen e tij, ish-togeri Menderes Sinani, në rastin e kthyer në rigjykim, ku ai po akuzohet për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Në këtë rast, për shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore akuzohej edhe Vahid Tahiri, por për këtë vepër, prokurori Rasim Maloku tha se ka arritur parashkrimi absolut, për çka edhe është tërhequr nga marrja në pyetje ndaj tij.

Në seancën paraprake të mbajtur më 25 shtator të këtij viti, i akuzuari Sinani kishte deklaruar se për veprën penale “marrje ryshfeti” ishte arrestuar më 11 shtator 2013, ku në atë kohë kishte punuar në Policinë e Kosovës, dhe atë, në gradën e togerit, si shef i Njësisë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kurse, lidhur me arrestimin e tani të dëmtuarit Bidajet Sylejmani, ai kishte thënë se arrestimi i tij ishte bërë meqë Sylejmani kishte qenë i dyshuar për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore.

“Arsyeja e arrestimit ka qenë sepse Bidajet Sylejmani ka qenë i dyshuar për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore. Ditën e arrestimit e ka intervistuar Besim Shabani dhe Enver Ademi, që të dy polic hetues, kurse përgjegjës ka qenë Nazim Osmani. Më pas, me urdhër të prokurorit ai ishte ndaluar për 48 orë”, kishte deklaruar i akuzuari Sinani.

Tutje, Sinani tha se pas arrestimit të tani të dëmtuarit Sylejmani, në mënyrë të rastësishme kishte pasur disa takime me anëtarët e familjes së tij, dhe atë, me personin e quajtur Xhemshir Beqiraj, por që sipas tij, këto takime nuk kishin qenë as zyrtare, e as të planifikuara nga ai.

Në njërin nga takimet që ishte bërë në restorantin “EuroMiti” në Ferizaj, Sinani tha se aty kishte shkuar së bashku me Besim Shabanin, dhe 10 minuta më pas kishte shkuar Xhemshir Beqiraj.

“Në këtë takim prapë është bisedu për Bidajetin, ku Xhemshiri këtu ka tentuar të më jap një dhuratë. Mtha ta kom ble ni parfum, dhe në atë moment i kam thënë “ti mu me mble dhuratë a”, “qu hup prej ktuhit”. Ai mbeti i shtangur, unë nuk dita çka me bo, u qova dola jashtë. Unë atë parfum nuk e kam marrë”, tha i akuzuari Sinani.

Ai tha se në të gjitha këto takime ishte tentuar të bisedohej për tani të dëmtuarin Sylejmani, por asnjëherë nuk kishte pranuar.

Seanca e radhës është caktuar më 20 dhjetor 2019, në ora 13:00, ku do të jepet fjala përfundimtare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor të vitit 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Menderes Sinanit, ku të njëjtin e akuzonte se në cilësi të udhëheqësit të Njësisë Anti-Trafikim në Stacionin Policor të Ferizajt, kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, me trup gjykues të udhëhequr nga gjykatësi i EULEX-it Piotor Bojarchuk, në muajin tetor të vitit 2016, kishte dënuar ish-togerin ferizajas Menderes Sinanin, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim, për katër vepra penale të korrupsionit.

Gjykata gjithashtu kishte obliguar Sinanin që palës së dëmtuar, familjes së Bidajet Sylejmanit, t’ia kompensonte dëmin në shumë prej 4750 eurosh.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast Vahid Tahiri, nga shkalla e parë, ishte liruar nga akuza për veprën penale “shmangie nga pagesat e taksave doganore”.

Mirëpo, rasti i ish-togerit Sinani dhe të akuzuarit Tahiri, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

“Betimi për Drejtësi”, në dhjetor 2017, pati siguruar aktgjykimin e Apelit, me të cilin kjo gjykatë, duke aprovuar ankesat e të pandehurit Sinani dhe mbrojtësit të tij avokatit Aziz Rexha dhe duke hedhur poshtë ankesën e prokurorit special Drew Angel, me aktvendim, në tërësi, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, të datës 6 tetor 2016, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykim, ndër të tjera thuhej se Gjykata Themelore e Ferizajt, gjatë rigjykimit, duhet që në cilësi të dëshmitarit, ta dëgjojë Besim Shabanin, i cili po ashtu ishte i akuzuar në këtë rast, si dhe të përsëris marrjen në pyetje të shumicës së dëshmitarëve relevant të cilët kanë dëshmuar gjatë gjykimit të parë.

Pas vendimit të Apelit për kthim të lëndës në rigjykim, e njëjta gjykatë, më 16 nëntor 2017, po ashtu kishte marrë vendim për lirimin e Sinanit nga masa e paraburgimit. Ndërsa, kjo masë atij më pas i është zëvendësuar me paraqitje në stacion policor.

Ish-togeri Sinani, akuzohet edhe në një rast tjetër, ku së bashku me tetë persona të tjerë, akuzohen për veprat penale “moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “deklarimi i rremë nën betim”. /BetimipërDrejtësi