Ish-sekretari i MASHT-it: Kemi shfrytëzuar 120 mijë euro, pasi në të kundërtën kjo ministri s’do të financohej vitin e ardhshëm

IMG-2448
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Xhavit Dakaj, tha se i kishin shfrytëzuar 120 mijë euro për shtypjen e librave dhe materialeve tjera, pasi nëse nuk do shfrytëzoheshin këto para, sipas tij, MASHT-i nuk do të financohej në vitin e ardhshëm.

Këtë deklaratë, Dakaj e ka dhënë gjatë mbrojtës së tij në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai dhe ish-sekretari i Gjykatës Kushtetuese, Milot Vokshi, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Dakaj tha se arsyeja e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit, mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese, kishte qenë përmbyllja e vitit buxhetor financiar, si dhe ikjes së humbjeve, që sipas tij, kishin mund të ndodhnin në vitin e ardhshëm, pasi buxheti i MASHT-it, në vitin tjetër do të ishte për 120 mijë euro më pak.

“Nëse ne nuk do t’i shpenzonim këto para gjatë atij viti, atëherë nuk do të financoheshim vitin tjetër. Asnjë dëm si kam shkaktuar buxhetit të Kosovës dhe nëse nuk do të ishte lidhur marrëveshja e mirëkuptimit sipas meje demi për MASHT-in do të ishte 120 mijë euro”, tha Dakaj.

Ndër të tjera, Dakaj tha se nëse nuk do ishte lidhur kjo marrëveshje e mirëkuptimit dhe nëse nuk do të shpenzoheshin këto mjete, do të vinte deri te mosrealizimi i planit dhe projekteve të MASHT-it, dhe po të ishte dëmtuar kjo ministri, sipas tij, do të ishte këtu si palë e dëmtuar në këtë çështje penale.

Ai tha pasi kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 12 dhjetor 2014, ku para nënshkrimit të saj,  ishte konsultuar me Departamentin e Prokurimit Publik, me KRRPP-në, ndërsa mendimin e kishin marrë edhe nga drejtori i prokurimit publik Xhemjal Buzuku.

“Në këtë rast për shkak të shpejtësisë nuk kemi arritur që mendimin ta marrim me shkrim, dhe mendimi i KRRPP-së dhe i drejtorit të prokurimit ka qenë që një marrëveshje e tillë nuk është në kundërshtim me ligjin, këso procedura zbatoheshin në Kosovë, por nuk ishin të lëvdueshme”, tha Dakaj.

Sipas Dakajt, kishte ardhur në përfundim për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pasi kishte marrë mendimin e drejtorit të prokurimit dhe duke parë nevojën e MASHT-it, dështimin e procedurave të prokurimit publik, si dhe ditët e fundit të vitit financiar.

“Në asnjë rast në asnjë moment të kishim dyshim se nuk është marrëveshja në rregull nuk do ta kisha nënshkruar, qoftë edhe me një milion fitime personale”, tha Dakaj.

Ai tha se në MASHT, kishte ardhur vendimi për anulimin e tenderit dhe se Departamenti i Prokurimit Publik, e kishte njoftuar për këtë vendim, por sipas Dakajt, MASHT-i edhe më herët e kishte pasur një njoftim për pezullimin e procedurave dhe në ndërkohë kishte lejuar vazhdimin e procedurave, por kishte kërkuar që fituesi mos të shpallet, sepse ishin në procesin e vendosjes së ankesës nga operatori ekonomik “Asigno Group”.

“MASHT-i e ka përsërit tenderin, por e ka përsërit në fillim të vitit tjetër fiskal në 2015, ndërsa në periudhë që mbeten 20 ditë, nuk ka pasur shanse të përsëritet, meqenëse janë shumë procedura dhe në këtë kontest jemi detyruar që të gjejmë një rrugë tjetër, e cila nuk është në kundërshtim me ligjet pozitive për të realizuar programin dhe planifikim e MASHT-it”, shtoi ai.

Ai tha se po të mos ishte realizuar ky program, MASHT-i dhe sekretari i saj do të kishin vlerësim negativ dhe se në vitin tjetër MASHT-i do të funksiononte me 120 mijë euro më pak, dhe pasi ministria sipas Dakajt, për çdo vit shpall konkurs për shtypjen e librave, broshurave etj, ky institucion me vite të tëra nuk do të mund të rikuperohej nga kjo humbje.

Ndërsa, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Hamdi Ibrahimi, se cila kishte pasur më shumë rëndësi, performanca e sekretarit dhe e MASHT-it, apo shpenzimi i 120 mijë eurove brenda një kohe të shkurtër, Dakaj tha se qëllimi i marrëveshjes kishte qenë realizimi i planit të punës së MASHT-it dhe buxhetit dhe se ai si sekretar i kësaj ministrie ishte kujdesuar që paraja të shkojë në vendin e duhur.

“Këto mjete nuk janë harxhuar shkel e shko, këto mjete nuk janë harxhuar për ndonjë plan që nuk ka ekzistuar, këto mjete nuk janë harxhuar as nga një nënkod buxhetor tjetër, por janë harxhuar nga departamenti ku kanë qenë të planifikuara edhe aktivitetet edhe mjetet financiare dhe nuk është tejkaluar plani”, tha ai, duke shtuar se  marrëveshje të tilla kishin lidhur edhe institucione tjera.

Ai tha se ftesa e MASHT-it për operatorin ekonomik “Grafo-Loni”, që ta furnizojë më materiale të nevojshme, nuk i ishte drejtuar këtij operatori ekonomik që ishte në tender,  por ishte drejtuar një operatori tjetër i cili sipas Dakaj, rastësisht quhej me “Grafo-Lon”, i cili kishte kontratë me Gjykatën Kushtetuese.

“Asnjë milimetër nuk kam pasur qëllim përfitimi për vete apo tjetrin si dhe nuk e kam dëmtuar askënd me veprimet e mija”, tha në fund Dakaj.

Ndërkaq, seanca e radhës ku pritet të jap mbrojtjen i akuzuari Vokshi, është caktuar me 6 nëntor 2018, në ora 13:00.

Ky rast, i cili më 19 qershor 2017, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit, është i shënjestruar për liberalizim të vizave.

Dakaj dhe Vokshi, në dhjetor të vitit 2016, ishin shpallur fajtorë për këto dy vepra penale dhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dakaj ishte dënuar me dhjetë muaj burgim efektiv, ndërsa Vokshi me gjashtë muaj.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar nga prokuroria që të bëj edhe njëherë precizimin e akuzës, pasi që sipas kësaj gjykate, dispozitivi ishte i paqartë.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Dy të akuzuarit dyshohen se kishin tejkaluar kompetencat e tyre, ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme, kishin lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it.

Kjo kontratë ishte lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe buxheti i shtetit të Kosovës.

Sipas prokurorisë, Dakaj dhe Vokshi, duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kishin ngushtuar konkurrencën dhe i kishin vënë subjektet tjera biznesore “XHAD”, “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf”, në pozita të pabarabarta për të favorizuar “Grafo-Lonin”.

PSRK-ja në këtë aktakuzë për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër, zyrtarin e prokurimit, Xhemajl Buzukun, zyrtarin financiar në MASHT, Fehmi Zylfiun dhe zyrtaren certifikuese Bukurije Borovcin, të cilët akuzoheshin se në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Loni”.

Sipas PSRK-së, ishin lidhur për furnizimin me libra dhe broshura për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese, duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm.