Ish-referentja e Gjykatës në Graçanicë dhe njëri i akuzuar lirohen nga akuzat, tjetri dënohet me 3 vite burgim

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuzat referenten e suspenduar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, Natasha Maksimoviq, e cila akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe Valmir Lleshajn, i cili ngarkohej për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë.

Kurse, Ismet Mehmeti u dënua me 3 vite burgim, për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësja Dermaku tha se të akuzuarit Maksimoviq dhe Lleshaj u liruan nga akuza, pasi që nuk u provua se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh pas marrjes së të njëjtit në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohej se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, kishte paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq. Paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, kishin hartuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e kishin vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktakuzë thuhet se ata e kishin vërtetuar kontratën në fjalë, me vlerë prej 9 mijë e 500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, kishte paraqitur kërkesë për bartjen e kësaj paluajtshmerisë në emër të tij, duke venë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe kishte arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këto veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkonte Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9 mijë e 500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, ngarokohej se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë