ISH-PUNËTORJA E INTEREX-IT NUK PARAQITET NË GJYKATË

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Vildona Bega, e akuzuara për veprën penale përvetësimi në detyrë, nuk është paraqitur të enjtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Faik Hoxha, ka bërë të ditur se ka pranuar një njoftim nga e akuzuara dhe avokati i saj, se ende nuk i kanë pranuar shkresat nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Sipas këtij njoftimi, Prokuroria ende nuk e ka përmbushur obligimin e saj që t’i pajisë palët me shkresa të lëndës.

Ky gjykim nuk u mbajt më 15 mars 2016, për arsye se të akuzuarës Bega ju caktua avokati pikërisht atë ditë, prandaj avokati mbrojtës ishte deklaruar që nuk ishte i pregaditur që të vazhdoj seancën.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e akuzuara Vildona Bega në dhjetor të vitit 2007, në cilësinë e punëtores së arkës në hiper marketin “INTEREX”, ka përvetësuar para me ndihmën e të pandehurve Burbuqe e Faton Haliti dhe Bernard Kerhani, të cilët tashmë janë në arrati dhe procedura ndaj tyre është pezulluar. Prokuroria pretendon që e akuzuara Burbuqe Haliti pas një marrëveshje paraprake me Vildona Bega ka marrë mallin në vlerë prej 202.55 euro, ndërsa në arkën ku ka punuar Bega ka bërë pagesën prej vetëm 14.24 euro. Pas një dite, e pandehura Bega ka bërë përsëri marrëveshje me Bernard Kerhanin, i cili ka blerë artikuj ushqimorë në vlerë prej 141.43 euro, ndërkaq në arkë është bërë pagesa prej vetëm 7.92 euro. E njejta gjë është përsëritur edhe pas disa ditëve nga i pandehuri Bernard Kerhani i cili ka marrë mallëra në vlerë prej 262.66 euro, dhe në arkën ku punonte Vildona ka paguar vetëm 21.16 euro. Po ashtu, edhe e pandehura Burbuqe Haliti. E akuzuara këtë gjë e ka përsëritur me marrëveshje paraprake me të pandehurit e tjerë edhe për tetë herë të tjera ku të pandehurit kanë marrë mall në shuma të ndryshme, ndërkaq, në arkë janë regjistruar shuma shumë më të vogla të parave. Poashtu, në aktakuzë thuhet që e pandehura Vildona Bega tre herë ka bërë pagesa për mall me kartelën e saj në shuma më të vogla dhe ndërkohë ka përvetësuar mall me vlera shumë më të mëdha. Sipas aktakuzës Bega bashkë me të akuzuarit e tjerë i kanë shkaktuar dëm material hiper marketit “Interex”  në shumën prej 9.502.30 eurove.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë