Ish-punëtori kërkon mbi 48 mijë euro kompensim pasi pretendon se KEK-u padrejtësisht e largoi nga puna

Pallati i Drejtësisë (6)
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Me pretendimin se padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin është larguar nga puna, Lavdim Shala, po kërkon nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kthimin në vendin e tij të punës, si dhe mbi 48 mijë euro kompensim të pagave që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Lidhur me këtë rast, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ku janë dëgjuar ekspertja financiare Vetima Vuqiterna dhe eksperti i psikiatrisë, Shpend Haxhibeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti i psikiatrisë, Haxhibeqiri, ka thënë se ekspertizën e tij e ka mbështetur në shkresat e lëndës dhe në deklarimet e paditësit.

Ai ka thënë se paditësit para ndërprerjes së marrëdhënies së punës ka pasur probleme shëndetësore, por që marrja e lajmit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës ka qenë e vështirë për të.

“Çdokush që merr ndonjë lajm që është në kundërshtim me mendimin, vullnetin dhe dëshirën e tij shkakton traumë, pasi që emocionet e ndryshme te personat e ndryshëm sjellin ndryshim në gjendjen e tyre shpirtërore”, tha eksperti Haxhibeqiri.

Kurse, lidhur me kërkesën për sqarimin e ekspertizës financiare të 31 mars 2019, ekspertja Vuqiterna ka deklaruar se ekspertizën e saj e ka mbështetur në aktvendimin e gjykatës dhe në shkresat e lëndës.

Ajo ka thënë se sipas llogaritjeve të bëra, ka ardhur në konkludim se nga periudha 1 mars 2015, e deri në  përpilimin e ekspertizës, duke u mbështetur në pagën bruto të paditësit, e paditura është e obliguar që për këtë periudhë ta paguajë shumën e përgjithshme prej 48,070.86 euro.

Në pyetjen e përfaqësuesit të të paditurës, Gëzim Bërbatovici, se gjatë periudhës kontestuese, i paditur a ka punuar në ndonjë vend tjetër, ekspertja financiare ka thënë se nuk ka qenë e obliguar që të merr informacion lidhur me punësimin e paditësit në ndonjë vend tjetër.

Bazuar në këtë, përfaqësuesi i të paditurës ka kërkuar plotësim të ekspertizës, në mënyrë që sipas tij, ekspertja financiare të konstatojë se paditësi a ka punuar gjatë kësaj periudhe në ndonjë vend tjetër apo jo, i cili propozim është kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Faton Qerezi.

Gjykatësja e rasti, Lendita Berisha, e ka aprovuar propozimin për plotësimin e ekspertizës financiare dhe ka deklaruar se ekspertja Vuqiterna është e obliguar që brenda 15 ditësh ta dorëzojë në gjykatë ekspertizën e plotësuar.

Ndërsa, gjykatësja Berisha e ka refuzuar propozimin përfaqësuesit të paditësit që të merret prova me ekspertizë mjekësore nga lëmi i kardiologjisë.

Gjykatësja Berisha, e ka obliguar edhe palën e paditur që brenda afatit prej shtatë ditësh të sjell në gjykatë shkresat e procedurës disiplinore të zhvilluar ndaj paditësit Shala.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së ekspertizës financiare të plotësuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 mars 2016, paditësi Lavdim Shala po kërkon anulimin e vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kthimin e tij në vendin e punës dhe kompensimin e të gjitha të ardhurave nga marrëdhënia e punës së bashku me kamatën ligjore prej 8 %.

Në padi thuhet se me vendimin e 4 shkurti 2015, të lëshuar nga të Zyra e Auditimit të Brendshëm në KEK, paditësit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Siç thuhet në padi, pas marrjes së vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, paditësi kishte parashtruar ankesë tek organi kompetent i të paditurës, po i njëjti nuk kishte marrë përgjigje.

Më anën e padisë, paditësi po pretendon se e paditura me rastin e marrjes së vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës ka bërë shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit të Punës, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të drejtës materiale.

Prandaj, me anën e kësaj padi, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara, dhe të detyrohet e paditura ta kthej në vendin e tij të punës dhe t’ia kompensojë pagat mujore nga dita e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, në shumën e përcaktuar në ekspertizë financiare prej 48,070.86 euro. /Betimipërdrejtësi