Ish-punëtori i Qendrës Studentore kërkon pagat pas pensionimit, e paditura e kundërshton

pallati-1-620x275
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Mars 14, 2019

Prishtinë – Ish-punëtori i Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës (QSUP), Miliam Hasani po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta obligojë të paditurën që atij t’i kompensohen pagat jubilare dhe pagat përcjellëse, të cilat pretendon se i takojnë me rastin e pensionimit.

Lidhur me kërkesën e tij, në seancën e së enjtes u deklarua përfaqësuesi i tij, avokati Shemsi Uka, i cili bëri precizimin e padisë dhe kërkesëpadisë sa i përket lartësisë së saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se për shumën e kompensimit, duhet të bazohet në raportin bankar të të ardhurave të paditësit para pensionimit.

Ai i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit, ta aprovojë në tërësi si të bazuar dhe ta obligojë të paditurën, Qendrën Studentore të Universitetit të Prishtinës, që t’i kompensojë paditësit, pagat jubilare dhe pagat përcjellëse, të cilat i takojnë paditësit me rastin e pensionimit.

Por këtë, e kundërshtoi si të pabazuar, përfaqësuesja e të paditurës, Shkurta Dajaku, e cila deklaroi se mbetet ne tërësi pranë përgjigjes në padi.

Sipas saj, duke u bazuar në provat e paraqitura në gjykatë dhe meqë, e paditura nuk ka paraparë linjë të veçantë buxhetore për këtë lloj kompensimi, i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë si të pabazuar.

Gjatë seancës së të enjtes palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit i propozoi gjykatës që ta aprovojë në tërësi si të bazuar.

Ndërsa, përfaqësuesja e të paditurës, kërkoi nga gjykata që kërkesëpadinë e paditësit ta refuzojë si të pabazuar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 6 prill 2018, paditësi Milaim Hasani, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta obligojë të paditurën, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, respektivisht Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, që t’i kompensojë pagat jubilare dhe përcjellëse.

Sipas paditësit, me rastin e pensionimit, në bazë të Kontratës Kolektive, e paditura është e obliguar që t’i kompensojë tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse.

Siç thuhet në padi, pasi që këtë nuk kishte arritur ta realizojë me marrëveshje me të paditurën, i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga e cila kishte kërkuar që ta obligojë të paditurën, t’i kompensojë pagat të cilat pretendon se i takojnë me rastin e pensionimit. /BetimipërDrejtësi