Ish-punëtori i kompanisë “Ushqimi” kërkon kompensimin e pagave pas daljes në pension, e paditura e kundërshton

Pallati i Drejtësisë
Author

Raporton: Valentina SHAHINI- GRAJҪEVCI

Mars 13, 2019

Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar procedura civile në mes paditësit Gani Rama dhe të paditurës, Shoqëria Aksionare “Ushqimi”, për kompensimin e pagave pas daljes në pension.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Bastri Morina, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, si dhe kërkesës për pagimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare pas pensionimit në shumë të përgjithshme prej 900 eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se bazën e kërkesëpadisë e mbështet në Marrëveshjen Kolektive, të 1 janarit 2015, në nenin 52, ku thuhet se i punësuari ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë për 30 vjet të përvojës së punës pa ndërprerje të punëdhënësi i fundit.

Po ashtu, ai ka thënë se këtë kërkesë e mbështet edhe në Ligjin e Punës dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

Ai ka deklaruar se lartësinë e kërkesëpadisë e mbështet në stazhin punës 38 vjeçar të paditësit Rama.

Përfaqësuesi i të paditurës, Ilmi Azemi, në fjalën përfundimtare, e ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit lidhur me pagat jubilare dhe përcjellëse.

“Paditësi është aksionar themeltar në Shoqërinë Aksionare “Ushqimi”, dhe si aksionar që është nëse e paditë kompaninë do me thënë po e paditë vetveten”, tha përfaqësuesi i të paditurit.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se thirrja në Marrëveshja Kolektive nga ana e paditësit është vetëm taktikë për vënien e gjykatës në lajthitje me rastin e vendosjes.

Përfaqësuesi i paditësit Morina, i ka kundërshtuar në tërësi thëniet e përfaqësuesit të palës së paditur.

Lidhur me shpenzimet e procedurës, pala paditëse i ka kërkuar shpenzimet me anën e parashtresës së 13 marsit 2019, ndërsa pala e paditur ka kërkuar nga gjykata që shpenzimet e procedurës t’i bien në barrë paditësit.

Gjykatësja e rastit Shpresa Veselaj, ka deklaruar se procedura gjyqësore në këtë çështje civile ka përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 janar 2018, pretendohet se paditësi Rama, ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura deri më 31 maj 2017.

Sipas padisë, paditësi është pensionuar më 1 qershor 2017, dhe në këtë rast e paditura nuk ia ka paguar tre paga përcjellëse në shumë prej 450 euro dhe tre paga jubilare në shumë prej 450 euro dhe atë në  shumë të përgjithshme prej 900 euro.

Sipas padisë, baza e kërkesëpadisë mbështetet në Marrëveshjen Kolektive, të datës 1 janar 2015 dhe atë në nenin 52.

Me anën e kësaj padie, paditësi kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia se  bazuar.

Po ashtu, sipas padisë, kërkohet nga gjykata që pala e paditur të detyrohet që në emër të pagave jubilare të paguaj shumën prej 450 euro dhe shumën prej 450 euro në emër të pagave përcjellëse, dhe atë në shumë të përgjithshme prej 900 euro. /BetimipërDrejtësi