Ish-punëtori i KEDS-it kërkon kthimin në punë dhe kompensimin e pagave

foto (9)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Ish-punëtori i KEDS-it, Salih Ahmetaj, po kërkon që t’i mundësohet kthimi në vendin e punës, prej nga ku pretendon se ishte larguar padrejtësisht.

Për këtë ka ushtruar padi ndaj KEDS-it nga e cila kompani, kërkon që të kompensohet në shumën prej 390 euro për çdo muaj, deri në kthimin e tij në vendin e punës, që nga 8 maji i vitit 2018 prej kur sipas padisë, atij i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në seancën e së mërkurës, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, palëve ndërgjyqëse ia ka dorëzuar ekspertizën financiare të përpiluar nga eksperti Aziz Berisha, më 31 korrik 2019.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Idriz Ibraj, ka thënë se nuk ka vërejtje sa i përket ekspertizës financiare, duke shtuar se mbetët në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj, si dhe deklarimeve në seancat e mëparshme, duke i propozuar gjykatës që të bëjë administrimin e provave.

Mirëpo, përfaqësuesi i të paditurës, Gazmend Lokaj, i ka propozuar gjykatës që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër me arsyetimin se i duhej mendimi i profesionistëve të kompanisë për ekspertizën financiare.

Ai tha që për të njëjtën kishte vërejtje ku sipas tij, në ekspertizë janë paraqitur dy vlera, ajo prej 390 euro, dhe tjetra prej 532 euro.

“Konfirmojmë që e pranuam ekspertizën financiare për të cilën kemi vërejtje për arsye se në të njëjtën janë paraqitur dy vlera ajo prej 390 euro, që i përgjigjet vlerës së kontratës dhe vlera tjetër prej 532 euro, të cilat ne si palë e paditur nuk e dimë se nga e ka nxjerr eksperti. Për këtë ekspertizë kemi vërejtje dhe më hollësisht nuk mund të deklarohem për arsye se na duhet mendimi i profesionistëve të kompanisë. Atëherë propozojmë që kjo seancë të shtyhet”, tha përfaqësuesi i KEDS-it.

E sa i përket propozimit të përfaqësuesit të të paditurës për shtyrjen e seancës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Ibraj, nuk e ka kundërshtuar.

Mirëpo, ai i ka propozuar gjykatës që për seancën e radhës të ftohet eksperti Aziz Berisha, që të jap sqarime lidhur me ekspertizën e tij.

“Nuk e kundërshtoj propozimin e përfaqësuesit të paditurës, mirëpo kisha shtuar për hir të ekonomizimit në procedurë që për seancën e radhës të ftohet edhe eksperti Aziz Berisha, i cili do të sqaroj përpilimin e ekspertizës”, tha Ibraj.

Gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, e ka aprovuar propozimin e palëve ndërgjyqëse që për seancën e radhës të ftohet eksperti financiar Aziz Berisha, që të jap sqarime për përpilimin e ekspertizës.

Seanca e radhës është caktuar më 24 tetor 2019, nga ora 13:30.

Sipas padisë së ushtruar më 25 maj 2018, paditësi Salih Ahmetaj, po kërkon nga e paditura Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Sipas padisë, paditësi ishte në marrëdhënie pune në KEK, që nga 20 qershori 1983, në cilësinë e rojtarit në sigurimin e hidroelektranës së kozhnjerit dhe infrastrukturës së saj, ndërsa më 7 shkurt 2000, ai kishte bërë marrëveshje me KEK-un, në Prishtinë, pasi që kishte largësinë e njëjtë të udhëtimit, ka kaluar në kryerjen e detyrave të njëjta në distriktin e Gjakovës, duke u ndërruar me punëmarrësin Hasan Veselaj, i cili kalon në distriktin e Pejës, në vend të tij.

Siç thuhet në padi, i njëjti nga ana e  KEK-ut, më 1 shtator 2003, ka pranuar kontratën më kohë ta pacaktuar në pozitën e gardistit, ku atë punë e ka vazhduar deri në vitin 2017, kur punëdhënësi i tanishëm KEDS-i, i ka dhënë kontratën e fundit më 1 prill 2017, deri më 7 maj 2018, me mundësi vazhdimi.

Gjithnjë sipas padisë, me të përfunduar kontrata më 3 prill 2018, i njëjti është njoftuar për mos vazhdimin e kontratës me efekt nga 8 maji 2018, ku sipas tij, është bërë shkelje ligjore dhe shkelje e akteve normative mbi rregullimin e brendshëm të ndërmarrjes.

Sipas padisë, paditësi ka bërë kërkesë për rishqyrtim të vendimit mbi mos vazhdimin e kontratës së punës, mirëpo e njëjta i është refuzuar si e pabazuar.

Andaj, përmes kësaj padie ai po kërkon nga gjykata që ta anulojë vendimin me të cilin paditësit nuk i është vazhduar kontrata e punës, ta kthej atë në vendin e punës në KEDS, dhe të obligohet e paditura që t’ia kompensojë shumën prej 390 euro, për çdo muaj, që nga 8 maji 2018, kur i është ndërprerë marrëdhënia e punës paditësit, deri në kthimin e tij në vendin e punës, dhe atë me kamatë ligjore prej 4.7%, si dhe obligimet e kësaj procedure. /BetimipërDrejtësi