Ish-punëtori i ARKEP-it kërkon anulimin e vendimit të KPMSHCK-së dhe kthimin në vendin e punës

Gjykata
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Mars 4, 2020

Prishtinë – Super ekspertizë është caktuar të bëhet në rastin ku Fidel Krasniqi po kërkon anulimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Kosovë dhe kthimin në vendin e punës.

Kjo ka ndodhur, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të mërkurën, e ka aprovuar kërkesën e përfaqësueses së palës së interesit, ARKEP, Rrezarta Ajeti, për caktimin e super ekspertizës financiare.

KPMSHCK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e paditësit Krasniqi, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Disiplinor të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Komisionit Disiplinor ia kishte ndërprerë atij marrëdhënien e punës për shkak të shkeljeve të rënda të punëve dhe detyrave, mos respektim të orarit dhe për shkak të keqpërdorimit të mjeteve të punës.

Pas rishqyrtimit të provave, kolegji për shqyrtimin e ankesave kishte konstatuar se ankuesi në mënyrë të përsëritur kishte pasur mungesa të paarsyeshme në punë, të evidentuara në listat e nënshkruara për hyrje dhe dalje për muajt janar-shkurt 2007.

Në fillim të seancës, palët kanë deklaruar se kishin pranuar ekspertizën financiare, për të cilën, kundërshtime kishte zyrtari financiar i palës së interesit, Fatmir Gërvalla, si dhe përfaqësuesja e ARKEP, Rrezarta Ajeti.

“E kundërshtojmë ekspertizën financiare dhe kërkojmë ekspertizë tjetër. Gjykatës i propozojmë super ekspertizë në përbërje prej tre ekspertëve financiarë, të cilët do të bëjnë llogaritjen e tatimit të pagave për periudhën e kontestuar”, ka thënë Ajeti.

Lidhur me këtë, gjykatësi Hajriz Hoti ka aprovuar propozimin e tillë, i cili tha se me aktvendim të veçantë do të vendosë lidhur me detyrat dhe lartësinë e ekspertizës.

Ndërsa, seanca e radhës tha se do të caktohet pas arritjes së ekspertizës në gjykatë.

Sipas padisë, së ushtruar më 11 maj 2017, Krasniqi pretendon se më 14 shkurt 2007, ishte larguar padrejtësisht dhe në mënyrë të kundërligjshme  nga puna dhe atë, për shkak të mosrespektimit të orarit.

Për këtë, ai po kërkon nga e paditura, KPMSHCK-ja, kthimin e tij në vend të punës dhe kompensimin e të ardhurave personale nga dita e largimit. /Betimipërdrejtësi