Ish-profesori në Universitetin e Gjakovës kërkon pagat pas pensionimit

55443365_307519326602637_2180195587805151232_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 10, 2019

Gjakovë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë është mbajtur seanca përgatitore në çështjen civile, ku ish-profesori në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, Skender Beqa po kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit.

Paditësi Beqa, deklaroi se qëndron prapa parashtrimeve të kërkesëpadisë, duke shtuar se të paditurës i është drejtuar me kërkesë, por që nuk është realizuar nga ana e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se bën precizimin e kërkesëpadisë, ashtu që tani i kërkon vetëm tri pagat pas pensionimit.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, Hysen Manxhuka tha se qëndron prapa përgjigjes në padi.

Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia me aktvendim e ka detyruar paditësin që deri në seancën e radhës ta sjellë si provë në Gjykatë qarkullimin bankar të tri pagave të fundit, si dhe një vërtetim apo kartelë të anëtarësisë në sindikatat e SBASHK-ut.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 2 tetor 2019, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar në qershor të këtij viti, paditësi Skender Beqa ka paditur Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” për kompensimin e pagave pas pensionimit.

Sipas padisë, paditësi ka qenë në marrëdhënie pune si mësimdhënës tek e paditura, Universiteti i Gjakovës deri në kohën e pensionimit më 22 korrik 2018.

Sipas padisë, me rastin e pensionimit paditësit i kanë takuar tri pagat mujore dhe shpërblimi jubilar sipas kontratës kolektive të punëtorëve të arsimit të lartë në Kosovë.

Mirëpo, sipas padisë edhe pse i padituri i është drejtuar të paditurës me kërkesë për realizimin e kësaj të drejte, e paditura nuk ia ka paguar me arsyetimin se kanë mungesë të mjeteve financiare.

Andaj, sipas padisë, po kërkon nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilës do të aprovohej kërkesëpadia e tij dhe të detyrohej Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, që paditësit t’ia kompensojë tri pagat mujore me rastin e pensionimit në shumën prej 3565.11 euro. /BetimipërDrejtësi