Ish-Oficeri Korrektues kërkon anulimin e vendimit të Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin ishte larguar nga puna në vitin 2009

Rasti Komunes se Prishtine 13.02.2019
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Janar 27, 2021

Prishtinë – Me pretendimet se ishte larguar kundërligjshëm nga puna, paditësi Enver Berisha, ish-Oficer Korrektues në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, po kërkon nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë (MD), aprovimin e ankesës si dhe ndryshimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Me vendim të Komisionit Disiplinor të MD-së, paditësit Berisha i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi, Berisha kishte ushtruar ankesë në Komisionin e Ankesave të MD-së, ankesë e cila ishte refuzuar si e pabazuar.

Lidhur me këtë, më 8 prill 2009, paditësi Berisha sërish kishte ushtruar ankesë, por e njëjta ishte refuzuar si e pabazuar nga Komisioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës, i cili kishte lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Ankesave të MD-së.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se paditësi Berisha kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore, duke futur sende të palejuara në këtë institucion, si dhe duke kërkuar që t’i hapnin grilat në një pavijon pas kohës kur lejohej një gjë e tillë, për çka të njëjtit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesi i paditësit Berisha, Jeton Osmani, ka thënë se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe se nga shkresat e lëndës vërtetohet se vendimet me të cilat paditësi është larguar nga puna janë pa mbështetje ligjore, të kundërligjshme dhe të marra me shkelje procedurale dhe materiale.

Tutje, Osmani ka propozuar rregullimin e padisë në aspektin objektiv dhe subjektiv, ku përveç Ministrisë së Drejtësisë, padinë e ka drejtuar edhe në KPMSHCK.

Ky propozim u aprovua nga gjykatësja Arjeta Sadiku.

Seanca e radhës është caktuar më 3 mars 2021, në ora 10:00.

Sipas padisë së ushtruar më 1 mars 2010, paditësi pretendon se vendimi i Komisionit Disiplinor, Vendimi i Komisionit për Ankesa të Ministrisë së Drejtësisë si dhe Vendimi i Këshillit të Pavarur të Kosovës, janë të përfshira në shkelje të rënda, dhe atë të dispozitave të Rregullores së UNMIK-ut mbi Shërbimin Civil të Kosovës nr.2001/36, Urdhëresës nr.2003/2 dhe Udhëzimit Administrativ nr.MSHP/DASC/2003/05 mbi Procedurat e Ankesave.

Siç thuhet në padi, në këto vendime është vërtetuar gabimisht gjendja faktike si dhe janë bërë shkelje të rregullave mbi përgjegjësinë disiplinore të punëtorit, të drejtave nga marrëdhënia e punës si dhe e drejta në ankim efektiv të paraparë me dispozitat e nenit 13 të Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut.

Gjithnjë sipas padisë, me vendimin të Komisionit Disiplinor të MD-së, shkelja disiplinore nuk është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të duhur, dhe se ky vendim është arbitrar. Ndërsa me vendim të Komisionit të Ankesave nuk është vlerësuar asnjë pretendim. /BetimipërDrejtësi