Ish-mjekja familjare kërkon pagat pas pensionimit, Komuna e Prishtinës thotë se s’ka linjë buxhetore për këtë kategori

03
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Qershor 10, 2019

Prishtinë – Ish-specialistja e mjekësisë familjare, Vezire Perolli, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës, që asaj t’i kompensohen pagat pas daljes në pension, në shumë totale prej mbi katër mijë euro.

Me pretendimet se asaj i takojnë pagat përcjellëse dhe shpërblimi jubilar, për punën e saj në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në nëntor të vitit 2018, ka ushtruar padi ndaj Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar gjykimi në këtë rast, ku palët ndërgjygjëse kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Përfaqësuesja e paditëses, Nora Murataj, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së paditëses, duke i propozuar gjykatës që të merr aktgjykim me të cilin do ta aprovojë në tërësi padinë dhe kërkesën e saj.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Qazim Qunaku, e ka kundërshtuar një propozim të tillë, duke deklaruar se e konteston në tërësi padinë e paditëses, duke shtuar se pretendimet e saj janë të pabazuara.

Sipas tij, një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës dhe se Komuna e Prishtinës gjatë përgatitjes se buxhetit nuk ka paraparë linjë të veçantë buxhetore për këtë lloj kompensimi.

Ai i ka propozuar gjykatës që të refuzojë në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses Perolli.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve, gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti, ka njoftuar se procedura për këtë rast ka përfunduar, kurse sipas saj, palët me kohë do ta marrin aktgjykimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 15 nëntor 2018, paditësja Vezire Perolli, po kërkon nga e paditura, Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale,  shpërblimin e pagave jubilare me rastin e pensionimit.

Sipas padisë, paditësja ka qenë në marrëdhënie pune te e paditura, si specialiste e mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), deri më 27 shkurt 2016, ku më pas i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të pensionimit.

Në padi thuhet se përkundër kërkesës së paditëses për shpërblimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, e paditura nuk e kishte përmbushur obligimin e saj.

Për këtë, ajo ka ushtruar padi, me të cilën po kërkon nga gjykata që ta obligojë Komunën e Prishtinës për kompensimin e pagave pas pensionimit dhe shpërblimin jubilar, dhe atë në shumën prej 4076.58 euro, me kamatë ligjore prej 8%. /BetimipërDrejtësi