Ish-mësuesi nga Komuna e Shtërpcës kërkon pagat dhe shpërblimin jubilar pas pensionimit

57004712_405843236895495_1015133344523878400_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Prill 15, 2019

Shtërpcë – Ish-mësuesi Fehmi Islami, po kërkon kompensim për pagat pas pensionimit si dhe shpërblimin jubilar, në shumë të përgjithshme prej 3.120 euro.

Duke pretenduar se këto paga i takojnë, në nëntor të vitit të 2016, ai ka paditur Komunën e Shtërpcës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë me një aktvendim kishte aprovuar padinë e ish-mësuesit Fehmi Islami, mirëpo pas një ankese në Gjykatën e Apelit nga e paditura, Komuna e Shtërpcës, lënda në mars të këtij viti ishte kthyer në rigjykim.

Lidhur me padinë e tij, të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega në Shtërpcë, është mbajtur shqyrtimi kryesor.

Paditësi Islami, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, dhe deklaratave në seancën e kaluar lidhur me shpërblimin jubilar dhe tri pagat përcjellëse, si dhe propozoi që në cilësinë e dëshmitarit në këtë shqyrtim gjyqësor të dëgjohet Ekrem Ademi.

Këtë propozim gjyqtari i çështjes, Bersim Shaipi e ka kundërshtuar me arsyen se ky dëshmitar duhej të propozohej në seancën paraprake.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me procedimin e provave dhe pasi palët nuk patën vërejtje në leximin dhe administrimin e provave, shqyrtimi kryesor për këtë çështje civile vazhdoi me fjalët përfundimtare të palëve ndërgjygjëse.

Në fjalën përfundimtare, paditësi Islami, kërkoi nga gjykata që të detyrojë të paditurën, Komunën e Shtërpcës, që t’ia paguaj borxhin në emër të tri pagave me rastin e pensionimit, shpërblimin jubilar si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i të paditurës, Dragan Veljkoviq, deklaroi se e paditura e kundërshton pjesërisht padinë dhe kërkesën e saj.

Sipas tij, Komuna e Shtërpcës  pranon të paguaj tri pagat për përcjellje në pension, ndërsa nuk i pranon tri pagat tjera të shpërblimit jubilar.

“Mendojmë se nuk ka bazë të arsyeshme ligjore për realizimin e shpërblimit jubilar”, tha Veljkoviq.

Gjykatësi Bersim Shaipi, njoftoi palët se vendimin e gjykatës do t’ua dërgojë brenda afatit ligjor.

Ish-mësuesi Fehmi Islami, më 11 nëntor 2016 ka paditur Komunën e Shterpcës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit, ku pretendohet se paditësi Islami, ka qenë në marrëdhënie të rregullt të punës tek e paditura, Komuna e Shtërpcës– Drejtoria e Arsimit, dhe ka punuar në cilësinë e mësuesit deri në pension.

Andaj me kërkesëpadi, paditësi kërkon nga Komuna e Kamenicës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, t’i paguaj borxhin në emër të tri pagave në rastin e pensionimit, si dhe shpërblimin jubilar, me vlerë prej 3,120 euro, së bashku me shpenzimet e procedurës kontestimore të gjitha në afatin prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.