Ish-mësimdhënësi kërkon nga Komuna e Ferizajt kompensimin e pagave pas pensionimit

IMG_2517
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shkurt 7, 2019

Ferizaj – Ish-mësimdhënësi Shefshet Beqiri, po kërkon nga Komuna e Ferizajt, kompensimin e pagave pas daljes së tij në pension.

Paditësi Beqiri, pretendon se ka të drejtën e pagave përcjellëse pas pensionimit, në lartësi të tri pagave, të përcaktuara me Kontratën Kolektive të lidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Duke pretenduar se i takon kjo e drejtë, ai ka paditur Komunën e Ferizajt, më 10 nëntor 2014, pasi që e njëjta nuk ia kishte plotësuar kërkesën për kompensimin e pagave jubilare.

Në seancën përgatitore të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, paditësi Shefshet Beqiri tha se mbetet në tërësi pranë kërkesëpadisë, dhe obligon të paditurën lidhur me kompensimin e tri pagave përcjellëse pas pensionimit dhe tri pagave jubilare në shumën prej 2.754,54 euro.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Komuna e Ferizajt, avokati Sami Vranovci, e kundërshtoi kërkesëpadinë e paditësit, me arsyetimin se në bazë të dispozitave të Kontratës Kolektive numër 21, konkretisht në dispozitën e nenit 36 pika 9 dhe 10, është e precizuar dhe e saktësuar mënyra e realizimit të përfitimit të pagave jubilare dhe pagave përcjellëse.

“Kontestuese është se dispozita e nenit 36, pika 9 ka përcaktuar kohë zgjatjen e përvojës së punës, ku punëtori fiton të drejtën e pagës jubilare për 10, 20 dhe 30 vite që përfitohet nga paga bazë, e cila është vërtetuar të jetë 405 euro, dhe nga kjo bazë ekziston jo ekuivalenca e gjendjes reale dhe kërkesës në precizimin e padisë së paditësit. Paga bazë llogaritet se nga kualifikimi normal, paditësi ka realizuar shumën prej 21.60 euro për eksperiencë 87.08 euro, që shuma totale bën 108.68 euro, dhe kjo shumë kur të llogaritet duke zbritur nga shuma bruto që është 513.68 euro – 108.68 euro, në total është 405.00 euro”, ka thënë Vranovci.

Gjykatësi i rastit, Ardian Ajvazi, morri aktvendim që të bëhet nxjerrja e provave të propozuara në padi, dhe të mbahet seanca kryesore pas kësaj përgatitores, e cila mbetet e pa përcaktuar.

Ndryshe, sipas padisë së paraqitur më 10 nëntor 2014, paditësi Shefshet Beqiri pretendon se ka të drejtën e kompensimit të pagave jubilare pasi ka stazh pune prej 43 vitesh.

Sipas padisë, ai kishte punuar si mësimdhënës në shkollën fillore “Dëshmorët e Koshares”, që nga muaji shtator i vitit 1972 deri më 4 tetor 2014, kur me vendim të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Ferizajt, i është ndërprerë kontrata e punës për shkak të pensionimit.