Ish-menaxheri i prokurimit në Spitalin e Vushtrrisë lirohet nga akuza për keqpërdorim detyre

Amiri-3-620x275
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Tetor 9, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, në mungesë të provave ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-menaxherit të zyrës së prokurimit në spitalin “Sheik Zayed”, në Vushtrri, Mujë Ferati, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ferati akuzohej se në vitin 2013, në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit, tani drejtorit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Vushtrri, nuk kishte ndërmarr masa ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik “Kosova Med”, e cila ishte vonuar tetë ditë në dorëzimin e pajisjeve mjekësore, me ç`rast spitali ishte dëmtuar në shumë prej 1.187.60 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit Ferati, e ka shpallur gjykatësi Tomisllav Petroviq, pasi sipas tij, nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale.

Po ashtu, gjykatësi Petroviq, ka thënë se nuk ka pasur kërkesë pasurore juridike si dhe të pandehurin e ka liruar nga shpenzimet procedurale.

Gjykata i ka njoftuar palët me të drejtën e tyre në ankesë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 24 gusht 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Mujë Ferati, të cilin e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ferati, në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Komunën e Vushtrrisë, kishte vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Operativ neni T dhe V për Prokurim Publik, të vitit 2013, operatorit ekonomik OE “Kosova Med” nga Prishtina, si fitues i tenderit “Furnizim me pajisje mjekësore”, sipas kontratës që ishte lidhur në mes autoritetit kontraktues – të cilën e kishte nënshkruar i pandehuri Ferati dhe operatorit ekonomik, të cilën e kishte nënshkruar nga drejtori menaxhues i “Kosova Med”, Kastriot Asllani.

Siç thuhet në aktakuzë, operatori ekonomik “Kosova Med”, kishte vonuar tetë ditë  në dorëzimin e mallit ndaj autoritetit kontraktues spitalit “Sheikh Zayed”, ndërsa i pandehuri nuk kishte ndërmarr masa ndëshkuese për likuidimin e dëmeve – shqiptim i penaltive duke e dëmtuar kështu buxhetin e këtij institucioni në shumë prej 1.187.60 euro. /BetimipërDrejtësi