Ish-menaxheri i lokalit tregon se çfarë kishte parë në vendngjarje në rastin e vrasjes me thikë në Ferizaj

IMG_0076
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Janar 21, 2020

Ferizaj – Ish-menaxheri i lokalit, Pashtrik Nuredini, i ftuar si dëshmitar, ka treguar versionin e tij, lidhur me rastin e vrasjes në kafenenë “n’Konak”, në Ferizaj, që kishte ndodhur natën e 15 qershorit të vitit 2018.

Për këtë rast, Dardan Shabani akuzohet për vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, kurse Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti ngarkohen me veprat penale të lëndimit të lehtë trupor dhe të pjesëmarrjes në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky proces gjyqësor, ka të bëjë lidhur me privimin nga jeta të tani të ndjerit, Elvedin Ibrahimi, si dhe përleshjes që kishte ndodhur aty ndërmjet të dëmtuarve dhe të akuzuarve.

Dëshmitari Nuredini, ka thënë se tani të ndjerin e kishte njohur, pasi që edhe ai kishte punuar në të njëjtin vend, si sigurim.

Lidhur me rastin, dëshmitari Nuredini tha se ngjarjen nuk e kishte parë, pasi që deri sa kishte arritur aty, sipas tij, gjithçka kishte përfunduar.

“Atë ditë ka qenë festa e Bajramit, dhe në kafiteri kam vërejtur që është duke u bërë panik. Derisa jam afruar për të parë, gjithçka veç kishte përfunduar. Kur ka ndodhur kjo, unë isha me disa mysafirë duke i dërguar tek tavolina, afër 6-7 metra larg vendit të ngjarjes. Përleshja ka ndodhur afër shankut, dhe në vend të ngjarjes ka pasur shumë xhama, shishe të thyera, tavolina të rrëzuara, dhe gjak. E kam parë Elvedinin që është ngritur dhe ka kaluar në një pjesë tjetër të lokalit. Në trup ka pas gjak. Më pas e di që e ka dërguar dikush në spital. Të tjerë persona me lëndime nuk kam vërejtur”, deklaroi dëshmitari Nuredini.

Se a kishte pasur ndonjë thikë në vend të ngjarjes, dëshmitari Nuredini tha se kishte parë objekte të tjera, por tha se thikë nuk kishte parë aty.

Po ashtu, në këtë seancë është konsideruar e lexuar edhe deklarata e dëshmitarit Elmedin Sherifi, me arsyetimin se i njëjti jeton në shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, gjatë kësaj seance, Gjykata Themelore në Ferizaj, i ka konsideruar të lexuara dhe të administruara të gjitha provat materiale në këtë rast.

Përfaqësuesi i familjes së të ndjerit Ibrahimi, avokati Xhemajl Ahmeti, ka propozuar nxjerrjen e një ekspertize për caktimin e lartësisë së dëmit jo material, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Skender Musa, ka propozuar që të dëgjohen pesë dëshmitarë të ri.

Lidhur me këto propozime, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi, mori aktvendim me të cilin ka bërë refuzimin e të njëjtave, duke aprovuar vetëm dëgjimin e një dëshmitari të propozuar nga avokati Musa.

“Aprovohet propozimi për dëgjimin e vetëm një dëshmitari, Shemsi Bajrami, meqë i njëjti natën kritike ka punuar në cilësi të sigurimit fizik në lokalin n’Konak. Dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë është i panevojshëm dhe jo relevant”, ka thënë gjykatësi Krasniqi.

Seanca e radhës është caktuar më 26 shkurt 2020, në ora 09:30, ku do të bëhet shikimi i video-incizimit të vendit të ngjarjes.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Dardan Shabani akuzohet se më 15 qershor 2018, rreth orës 22:10, në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, me dashje direkte dhe me qëllim të hakmarrjes kishte privuar nga jeta Elvedin Ibrahimin, për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti ku tani i ndjeri e kishte goditur me thikë, me çka i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Shabani së bashku me të akuzuarit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, kishin shkuar në kafene ku tani i ndjeri kishte punuar si sigurim fizik, me ç’rast kishte nxjerrë një thikë me të cilën në mënyrë tinëzare e kishte goditur në pjesën e gjoksit, duke depërtuar deri në zemër, kurse të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, e kishin goditur me karrige dhe shishe të birrës, me ç’rast, i ndjeri ishte rrëzuar dhe i pandehuri Shabani, e kishte goditur edhe tetë herë të tjera me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje i ndjeri pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë.

Për këtë, i pandehuri Shabani akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, më datë dhe vend të njëjtë, ai i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmedin Sherifi, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurin dhe të ndjerin, Shabani e kishte goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë, i cili kishte tejshpuar parakrahun.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në datë dhe vend të njëjtë, të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, po akuzohen se edhe pse kishin qenë të paprovokuar, kishin marrë pjesë në rrahje ku kishte mbetur i vdekur i ndjeri Elvedin Ibrahimi, në atë mënyrë që atë dhe pjesëmarrësit e tjerë që kishin tentuar t’i ndajnë, i kishin goditur me shishe të birrës.

Për këtë, secili veç e veç, po akuzohen për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 190, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të njëjtë, të pandehurit Musliu dhe Ahmeti po akuzohen se i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifi, të cilët kishin tentuar që t’i ndanin të pandehurit dhe tani të ndjerin, ku që të dy të akuzuarit i kishin goditur të dëmtuarit me karrige dhe shishe të qelqit, nga të cilat goditje të dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi