Ish-kryetari i Supremes: Pasojat juridike vijnë në shprehje vetëm nëse dënimi është me burg efektiv e jo edhe dënimi me kusht apo gjobë

uu
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 13, 2021

Prishtinë – Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se pasojat juridike vijnë në shprehje vetëm në rast se një person është i dënuar me burg efektiv por jo edhe nëse dënimi është më kusht, gjobë apo vërejte gjyqësore.

Një deklaratë të tillë, Hasani e ka dhënë të mërkurën gjatë një tryeze virtuale të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me temë “Kush ka të drejtë të kandidojë në zgjedhje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse gjykata ka shqiptua dënimin plotësues, ajo dihet se është e qartë për shkak se gjykata e ka heq të drejtën e zgjedhjes dhe e ka përcaktua një periudhë kohore brenda të cilit personi nuk ka te drejte të kandidohet, por kur gjykata nuk ka shqiptua dënim plotësues atëherë vijnë në shprehje pasojat juridike të dënimit. Mirëpo pasojat juridike vijnë në shprehje vetëm nëse gjykata ka shqiptua dënim efektiv me burgim tri vjetet e fundit por jo edhe dënimin me kusht, dënimin me gjobë dhe vërejtjen gjyqësore për arsye se ato i ka përcaktu në mënyre të saktë Kodi Penal”, tha Hasani.

Po ashtu, Ish-kryetari Hasani ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese, me rastin e vendosjes lidhur me legjitimitetin kushtetues të votës së deputetit Etem Arifi, kishte komentuar edhe vendimin e nxjerrë nga Gjykata Supreme në vitin 2017, edhe pse kjo çështje nuk ishte fare objekt i trajtimit pranë saj.

Sipas ish-kryetarit Hasani, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj i është referuar nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet, duke nxjerrë përfundime se vendimi i Gjykatës Supreme, i vitit 2017, ishte në kundërshtim me dispozitën e nenit 29 të Ligjit mbi Zgjedhjet.

Sipas Hasanit, neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet nuk për cakton llojin e sanksioneve penale dhe llojin e dënimeve të cilat do ta diskualifikonin ndonjë person nga e drejta pasive në zgjedhje dhe një dimension i tillë, sipas tij është penal dhe nuk ka lidhje me atë kushtetues.

“Gjykata kushtetuese ka komentu vendimin e Gjykatës Supreme te vitit 2017, thash qe nuk ishte fare objekt trajtimi ne Gjykatën Kushtetuese dhe për gjykimin tim as që ka mund të preket aj vendim i Gjykatës Supreme në këto rrethana tani mbas 4 vjete. Veçmas fokusi i Gjykatës Kushtetuese  ka qenë tek vendimi i Gjykatës Supreme se e drejta pasive ne zgjedhje mund ti merret vetëm atij te cilit i është marre me vendim gjyqësor dhe Gjykata Kueshtetuese ne vendimin e saj i referohet nenit 29 duke nxjerre përfundim se ky vendim i atëhershëm i vitit 2017 është ne kundërshtim me nenin 29 te ligjit i cili sipas GJK-së nuk përcakton llojin e sanksioneve penale dhe llojin e dënimeve te cilat do ti diskualifikonin dikënd nga e drejta pasive në zgjedhje, që për mu kjo është dimension i pastërt penal dhe s’ka lidhje me atë kushtetues” ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani.

Hasani ka deklaruar se pasojat juridike të dënimit i parasheh vetëm kodi penal dhe se interpretimi i nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet duhet të bëhet në harmoni me nenin 100 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ngase sipas tij, ligjet sektoriale që e parashohin pasojën juridike, nuk mund të përcaktojnë se cilat dënime prodhojnë pasoja juridike, ngase ajo e drejtë i takon ekskluzivisht KPRK-së.

“Neni 29 paragrafi 1, germa C është organikisht i lidhur me nenin 100 te KPRK-së, dhe ky nen në asnjë mënyre nuk mund të interpretohet shkëputur nga neni 100 për faktin se ligji sektorial ose ligjet sistemore që e parashohin pasojën juridike, aty e parashohin pasojën juridike mirëpo aty nuk mund te përcaktojnë se cilat dënime prodhojnë pasojën juridike sepse nuk është e drejtë e tyre, ajo është e drejtë ekskluzive e KPRK-së” shtoi Hasani.

Po ashtu, Hasani tha se Gjykata Kushtetuese, në arsyetim të vendimit të saj ka përdorur “sarkazmën” dhe “ironinë” në raport me vendimin e Gjykatës Supreme, kur sipas tij ajo konstaton se nuk mund të pritet nga gjykatat e rregullta, që krahas dënimeve që shqiptojnë, të nxjerrin supozime se cilët nga kryerësit do të mund të jenë kandidat potencial për zgjedhje në të ardhmen. /BetimipërDrejtësi