Ish-kryetari i Leposaviqit thotë se s’është pajisur me shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi ndaj tij dhe të tjerëve – të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Me arsyetimin se nuk është i pajisur me shkresat e lëndës, mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanovic, avokati Ramë Gashi, ka kërkuar që të shtyhet seanca fillestare në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Jabllanovic po akuzohet se ka punësuar në komunë persona në mënyrë të kundërligjshme dhe tutje përmes tyre ka mundësuar që biznese private të përfitojnë tenderë me shuma milionëshe në mënyrë të kundërligjshme.

Jabllanovic po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Avokati Ramë Gashi, si mbrojtës i të akuzuarit Dragan Jabllanovic ka thënë se Prokuroria nuk e ka përmbush detyrimin ndaj të pandehurit në raport me materialet të cilat duhet t’i jepen të pandehurit me rastin e ngritjes së aktakuzës.

Andaj, i njëjti ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet, duke kërkuar një afat të mjaftueshëm për të përgatitur seancën fillestare pasi të furnizohen me materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka shtuar se vetëm para dy ditësh, është kontaktuar nga një zyrtar i Prokurorisë me qëllim që t’ia sjell CD-në dhe materialet për këtë çështje penale, por pasi që i njëjti kishte pësuar aksident trafiku, ka qenë e pamundur të jetë në zyrë për të i marr këto materiale.

Tutje, avokati Gashi deklaroi se edhe po të i pranonte atë ditë, për shkak të materialeve të shumta, nuk do të ishte në gjendje ta këshillonte të mbrojturin e tij.

Avokati Gashi po ashtu ka kërkuar që gjykata ta udhëzojë prokurorinë e shtetit, që CD-në dhe të gjitha materialet t’i marrin edhe në gjuhën serbe edhe në gjuhën shqipe, duke i cilësuar këto si kërkesa minimale dhe të garantuara me ligj.

Ndërsa, Prokurorja Merita Binaj – Rugova ka deklaruar se avokati Ramë Gashi asnjëherë nuk është paraqitur në zyre të Prokurorisë Speciale, ndonëse i akuzuari Jabllanoviq ka qenë i njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë.

“Këtu e kam një provë materiale që i mbrojturi i tij, një fletë dërgesë nga posta me të cilin dëshmohet se i mbrojturi i tij, me datë 4 tetor ka qenë i njoftuar në gjuhën serbe se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër tij dhe se duhet të vjen në zyrën e prokurorisë ai ose mbrojtësi i tij që ta merr aktakuzën dhe të gjitha materialet”, ka thënë prokurorja Binaj – Rugova.

Tutje ajo ka shtuar, se ka qenë e pamundur për prokurorinë që të kontaktojë me avokatin Gashi, pasi që nuk e ka hapur telefonin dhe as nuk është gjendur në zyrën e tij nga fletëdërguesi i prokurorisë

Binaj – Rugova ka garantuar se të gjitha provat, të gjitha dokumentet janë në dy gjuhë, duke kërkuar që avokatët të shikojnë nëse ka ndodhur ndonjë gabim, dhe nëse i mungon diçka dikujt, në momentin që paraqiten në zyre të prokurores, do të pajisen menjëherë me dokumentet.

Tutje, avokati Faruk Korenica, si mbrojtës i të akuzuarit Boban Millovanoviq ka kërkuar që CD të sigurohet me shkrim dhe shkresat e lëndës të përkthehen në gjuhën serbe.

Kërkesës së tij, prokurorja Binaj – Rugova i është përgjigjur me garancinë se dokumentet në CD, janë në të dy gjuhët dhe se avokati të gjej mënyrën dhe të bëj printimin e dokumenteve, pasi që sipas saj, me ligj nuk është i caktuar mënyra e dorëzimit e as obligimi i prokurorisë që të bëjë printimin e dokumenteve.

Kurse, avokati Arianit Koci, si mbrojtës i të akuzuarit Bojan Banoviq, ka thënë se në këtë mënyrë prokurorja po krijon standarde të dyfishta.

“Prokuroria kam përshtypje që po krijon standarde jo të pëlqyeshëm, provat na i dorëzon në formë elektronike, ndërsa shkresat tona nuk na i pranon në formë elektronike, duhet vetëm në “hard copy”. Ky është standard i dyfishtë”, deklaroi avokati Koci.

Në këto rrethana, gjykatësja Violeta Namani – Hajra ka aprovuar propozimin e mbrojtësit, avokatit Ramë Gashi dhe ka ndërprerë seancën e sotme për ta caktuar të radhës për 29 dhjetor 2021.

E njëjta ka obliguar prokuroren që avokatin Gashi dhe të akuzuarin të e pajis me të gjitha shkresat e lëndës në afatin kohor prej 3 ditësh.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup ashtu që pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës Leposaviq, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Po ashtu, akuzohet se me vendimin e 02 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për Drejtor të Prokurimit në Leposaviq e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, si dhe të pandehurit Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tyre.

Tutje në aktakuzë, thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminoj operatoret tjerë ekonomik, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milion e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta, dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitoj tenderin dhe më 30 Korrik 2015 ta nënshkruaj këtë kontrate, për periudhën kohore prej 30.07.2015  deri 30.07.2018.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt Operatorin Ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë.

Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës deri sa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.

Ndërsa i akuzuari Aleksandar Ackoviq, akuzohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për Pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër,  si anëtar i këtij komisionit me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandar Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të Menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshutice”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndertimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndertimi i sheshit te lojërave për femijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligishme të përfitoj dobi pasurore në shumë prej 162,685.31€, si dhe shumën prej 246,028.42 € për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornize “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunen e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milion euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 Tetor 2015 – 27 Tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1,647,244.01 euro.

Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandar Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandar Kostiq, si Kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandar Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandar Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet tëcilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Ndërsa, në aktakuzë thuhet se për kontratën “Furnizimi me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq”, me vlerë të parashikuar prej 200,000.00 euro, me afat vetëm dy-ditor të dorëzimit të pajisjeve, të nënshkruar me 20 dhjetor 2016 me konzorciumin “Eurometal” SHPK & “Kruzni Tok”, me drejtorin Nijazi Musliu, atë të njëjtën ditë i pandehuri Jabllanoviq e ka caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për Menaxher të projektit, e dy ditë më vonë, me 22 dhjetor 2016, e pandehura Jellica Baraq, si Menaxhere e Prokurimit, sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq, e ka përgatitur raportin e pavërtetë sipas të cilit konstatohet se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t’i bëhet pagesa.

Tutje, sipas aktit akuzues, ky raport është prezantuar anëtareve të Komisionit për Inspektimin dhe Pranimin e Pajisjeve – të pandehurve Boban Millovanoviq. Alleksandar Ackoviq dhe Cedomir Timotijeviq, të cilët e kanë nënshkruar, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Eurometal”, dhe të pandehurit Nijazi Musliu që më 20 mars 2017, në mënyrë të kundërligjshme në Raiffesen Bank të pranoj shumën prej 163,573.20 euro.

Si dhe i pandehuri Dragan Jabllanoviq, akutohet se me 09 nëntor 2017, në zyrat e Autoritetit Përmbarues “Alea” gjatë seancës dëgjimore, sipas dy kërkesave të Kompanisë “Lirigzoni”, të 26 tetorit 2017, dhe atë njëra për shumën prej 628,990,21 euro dhe tjetra për 2,611,242.00 euro, si dhe sipas kërkesës së Kompanisë “Projektuesi” të 10 tetorit 2017 për pagimin e borxhit të pretenduar në shumë prej 197,100.00 euro, i njëjti ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi, duke i aprovuar në tërësi të gjitha kërkesat e tyre, edhe pse borxhi nuk ka ekzistuar.

Me këtë i pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 te KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë dënohet me gjobë deri në dyqind e pesëdhjetë mijë (250.000) Euro dhe me burgim prej së paku shtatë (7) vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë (500.000) Euro dhe me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 paragrafi 2 dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet./Betimi për Drejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë