ISH-KRYETARI I KOMUNËS SË OBILIQIT, MEHMET KRASNIQI E KONSIDERON AKTAKUZËN TË QËLLIMSHME DHE TENDENCIOZE

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- E mërkura gjeti në Gjykatën Themelore të Prishtinës ish-kryetarin e Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi bashkë me 12 zyrtarët tjerë të kësaj komune. Ish i pari i Obiliqit në fjalën hyrëse të shqyrtimit gjyqësor deklaroi se aktakuza  është e qëllimshme dhe tendencioze dhe sipas tij ky fakt do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor. Ndërsa të akuzuarit tjerë kërkuan nga gjykata që t’iu jepet aktgjykim lirues, me arsyetimin se aktakuza është e pabazuar dhe se sipas tyre do të vërtetohet pafajësia e tyre.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Agron Bajrami në fjalën e tij hyrëse deklaroi se ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen për keqpërdorimin dhe mashtrimin gjatë realizimit të projektit të ashtuquajtur “Asfaltimi i rrugëve rurale në Komunën e Obliqit”. Bajrami po ashtu kërkoi nga gjykata që për të akuzuarit të jepet aktgjykim dënues.

Mbrojtja e Mehmet Krasniqit, avokatët Florent Latifaj dhe Ramë Dreshaj e konsideruan aktakuzën si të pabazuar dhe po ashtu deklaruan se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tyre.

Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Haki Raçi, avokati Nikë Shala deklaroi se aktakuza është e bazuar në supozime e jo në prova materiale. Shala shtoi se me asnjë provë të vetme nuk do të dëshmohet fajësia e të mbrojturit të tij, por i njëjtit shtoi se përkundrazi do të vërtetohet se punët i ka kryer në përputhje me dispozitat ligjore.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Nazmi Mehmeti deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se Komuna e Obiliqit është vërtetë e dëmtuar ashtu siç është e cekur edhe në aktakuzë.

I ftuar për të dëshmuar në këtë seancë gjyqësore ishte ish-udhëheqësi i laboratorit të kompanisë ”Bejta Commerce”, Arsim Krasniqi, i cili kishte qenë i caktuar për të bërë matjet e modulit të ngjeshjes, përkatësisht të zhavorit. Krasniqi deklaroi se janë kontraktuar me kompaninë “Bas Com”, për analizën e atestit të rrugës për caktimin e vlerave të kualitetit të zhavorit dhe asfaltit të rrugëve të projektit në fjalë “Asfaltimi i rrugëve rurale në Komunën e Obliqit”.

Po ashtu Krasniqi deklaroi se gjatë marrjes së mostrave për atestim nuk ka qenë prezentë, por në vendin e ngjarjes ka dalë vetëm për matjen e vlerave të zhavorit e që sipas tij ato vlera janë të sakta në raportin që i njëjti ia kishte dorëzuar kompanisë ”Bejta Commerce”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Veprat penale për të cilat akuzohet Mehmet Krasniqi dhe 12 persona tjerë, janë kryer gjatë periudhës kohore 2012-2013, përkatësisht gjatë realizimit të projektit për asfaltimin e disa rrugëve në këtë Komunën e Obiliqit, në të cilën kohë kryetar ishte pikërisht Krasniqi.
Mehmet Krasniqin, Xhavit Krasniqin, Haki Ranin dhe Nazmi Gashin akuzohen të kenë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.
Po ashtu për Ramadan Hashanin, Bajram Palojin, Azem Spancën dhe Altin Preniqin, aktakuza i rëndon të njëjtit me kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar e secili veç e veç.
Ndërsa për veprën penale të mashtrimit, prokuroria i akuzon Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

Ndaj Basri Kqikut, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit gjykata me kërkesë të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Jakupi kishte veçuar procedurën penale, pasi i njëjti në shqyrtimin fillestar të këtij procesi gjyqësor e kishte pranuar fajësinë.

Seanca e ardhme ishte e paraparë që të mbahet më 26 korrik 2016, por me kërkesë të të akuzuarit Azem Spanca nuk do të mbahet, pasi i njëjti për shkak të disa obligimeve familjare nuk do të ketë mundësi që të jetë i pranishëm.

Për seancën e radhës gjyqtarja Afërdita Bytyçi njoftoi që do t’i lajmëroj palët në ditët në vazhdim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë