Ish-kryetari i Kllokotit dhe të tjerët lirohen nga akuza për kontratën me kompaninë “Metali” (Video)

Author

Raporton: Lirie ALIU

Prill 15, 2019

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, i ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tre zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, si dhe pronarin e kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema.

Ata akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi më 2012, kanë pranuar një kontratë me të cilën kompania “Metali”, ka pasur të sjellë në komunë inventar në vlerë prej 29,330.00 euro, por që i njëjti nuk ka ardhur në komunë.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Islam Thaçi, ka deklaruar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën akuzoheshin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata me vëmendje dhe përkushtim të madh ka analizuar gjitha provat dhe faktet, dhe ka ardhur në përfundim se të njëjtit nuk e kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ka munguar elementi i dashjes dhe i përfitimit pasuror për vete apo për të tjerë. Sipas gjykatës, Komuna e Kllokotit nuk është dëmtuar”, ka thënë gjykatësi Thaçi, gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, sipas tij, palët në procedurë mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh, që nga momenti i pranimit të këtij aktgjykimi.

Ai ka thënë se shpenzimet e procedurës bien në barrën e kësaj gjykate, përkatësisht të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 12 prill 2019, prokurori i rastit Arben Kadriu, kishte kërkuar dënimin e tyre, pasi sipas tij, gjatë këtij procesi gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.

Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qellim përfitimi, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e  5 dhjetorit 2012, në tenderin sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro. /Betimipërdrejtësi