Ish-kryesuesja e KZ-së dënohet me kusht për falsifikimin e rezultatit të votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017, i shqiptohet edhe dënim plotësues

Vendim
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 8, 2021

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka dënuar me një vit burgim me kusht ish-kryesuesen e Komisionit Zgjedhor të një vendvotimi në Rahovec, Flutura Beqiri, e akuzuar për falsifikim të rezultatit të votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësit Drilon Haraçia, dënimi me burgim ndaj të akuzuarës nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj të njëjtës janë shqiptuar edhe dënimet plotësuese, përkatësisht heqja e të drejtës për t’u zgjedhur, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, ashtu që i ndalohet e drejta për t`u zgjedhur si kandidate në zgjedhjet lokale apo qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe i ndalohet ushtrimi i detyrës që të merr pjesë si vëzhguese, kryesuese, komisionere apo pozita të tjera të organizuara nga KQZ-ja në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Ndryshe, aktgjykimi është shpallur një ditë pasi e akuzuara Beqiri e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, përkatësisht në seancën fillestare të mbajtur më 7 prill 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 26 shkurt të këtij viti, Flutura Beqiri po ngarkohet me veprën penale “falsifikimi i rezultatit të votimit” nga neni 219, paragrafi 2-1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 22 tetor 2017, në shkollën fillore “Isa Boletini” në Komunën e Rahovecit, pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e saj lidhur me zgjedhjet, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Tutje sipas aktakuzës, ajo këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike, e cila ishte e autorizuar nga KQZ si kryesuese e komisionit zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën “Isa Boletini”, pikërisht pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë 158 vota, prej tyre 96 vota të shtuara dhe 62 vota të hequra, më ç’rast gjithsej 158 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet lokale. /BetimipërDrejtësi