ISH-KRYESHEFI EKZEKUTIV I PTK-SË SHYQYRI HAXHA, DEKLAROHET I PAFAJSHËM

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Shyqyri Haxha ish-kryeshef ekzekutiv i PTK-së, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare është deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. “Kjo lëndë është e tmershme… Në asnjë proces të cekur në aktakuzë nuk jam i involvuar”, tha i akuzuari Haxha, para kryetares së trupit gjykues, Valbona Musliu – Selimaj.

Në nëntor të vitit 2014, Fikrije Fejzullahu prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë, ndaj të akuzuarit Shyqyri Haxha me pretendimin se i njëjti gjatë periudhës kohore 2009-2011 duke qenë në cilësinë e kryeshefit të ekzekutivit të PTK-së ka imlementuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, përkitazi ka mbuluar shpenzimet e qirasë për stafin e PTK-së që jetojnë jashtë Kosovës, ku në këtë mënyrë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë si dhe të ngarkesave tjera të cilat kanë një vlerë prej 2000 eurosh për çdo muaj, e cila në total arrin gjithsejt shumën prej 53.000 eurove.

Megjithatë, në seancën e së hënës, nuk ishte prezente prokurorja Fikrije Fejzullahu, e cila gjendet për vizitë familjare në Gjermani, ndërsa është zëvendësuar nga prokurorja Habibe Salihu.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Haxha, avokati Ramë Gashi tha se në bazë të aktakuzës, ka shumë gjera të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me këtë lëndë, mirëpo gjithsesi deri në mbajtjen e shqyrtimit dytësor do t’i paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.

Valbona Musliu – Selimaj, gjykatëse e vetme e trupit gjykues caktoi shyqrtimin e radhës me 9 prill në ora: 09:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë