Ish-kryeministri Bajram Kosumi dëshmon në rastin e dy ish-Ministrave të Kulturës për keqpërdorim të detyrës

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, foli në cilësinë e dëshmitarit për filmin “Mysafir në Sofër”, në rastin ku akuzohen dy ish-ministrat e kulturës Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, dhe dy producentët Armond Morina dhe Nehat Fejza. Kosumi u shpreh se ky film kishte pasur mbështetjen e tij si Kryeministër i atëhershëm i vendit. “Më 16 shtator të vitit 2005, kam pritë në takim producentët Sherlin Xhonson dhe Armond Morinën, me të cilët biseduam për projektin filmik “Mysafir në Sofër”. Tema e këtij filmi ka qenë lufta në Kosovë dhe ky projekt ishte i mirëpritur. Edhe sot mendoj që çdo projekt i mirëfilltë filmik që flet për luftën në Kosovë është i mirëseardhur”. Kosumi sqaroi që përkrahjen për këtë projekt filmik e kishte dhënë në emrin e tij, si kryeministër i  vendit, dhe për këtë ai kishte shkruar një letër me të cilën kishte shprehur përkrahjen e tij për një film të tillë. Sipas tij, këtë e kishte bërë në mënyrë që kjo letër të ju shërbej producentëve që të mbledhin fonde nga donatorë të ndryshëm.

Mirëpo, se a u përkrah ky film më vonë nga Qeveria e Kosovës, ish-kreu i Qeverisë tha se nuk ka njohuri. Kjo për shkak që detyrën e kryeministrit e ushtroi nga marsi i vitit 2005 deri në mars të vitit 2006, dhe se çka ka ndodhur me këtë projekt, Kosumi u shpreh se nuk ka qenë në dijeni se a ka përfunduar apo jo.

Lidhur me takimin që Kosumi foli para trupit gjykues, mbrojtësi i të akuzuarit Armond Morina, avokati Arianit Koci, i prezantoi dëshmitarit një letër e cila sipas Kosumit ishte një dokument zyrtar i Zyrës së Kryeministrit. “Në këtë shkresë janë theksuar tri çështje. Njëra ishte takimi im me dy producentët, kënaqësia ime si mbështetës i produktit filmik dhe mundësia që qeveria të diskutoj se si të kontribuojnë së bashku për një projekt të tillë”, u shpreh Kosumi. Ndër të tjera, Kosumi sqaroi se në letër asnjëherë nuk është theksuar ndonjë shumë e parave, por përmes saj është nxitur qeveria që të gjej forma për mbështetje të këtij produkti filimk.

Kosumi poashtu foli edhe lidhur me procedurat buxhetore për një projekt filmik, ku tha se sipas procedurave buxhetore të asaj kohe, barra e mbështetjes financiare do t’i takonte Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo do të ishte një procedurë e rregullt buxhetore. Mundësia tjetër e financimit, ishte sipas procedurave jashtëzakonshme buxhetore, ku Qeveria mund të merrte vendim të veçantë për mbështetjen e një produkti filmik.

Përveç dëgjimit të dëshmitarit Bajram Kosumi, në këtë shqyrtim gjyqësor palët prezantuan fjalët e tyre hyrëse, të cilët theksuan se mbesin pranë pretendimeve të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor. Mbrojtësi i të akuzuarit Astrit Haraqia, avokati Teki Bokshi, deklaroi se vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, ka arritur tashmë parashkrimin relativ. Ai theksoi se një kundërshtim të tillë e kishte paraqitur edhe para trupit gjykues të mëparshëm, i njëjti ishte refuzuar. Avokati Bokshi, luti gjykatën që ta shqyrtoj një kundërshtim të tillë. Ndërkaq, avokati Arianit Koci, shprehi propozimin e tij, i cili poashtu ishte refuzuar në gjykimin paraprak, që gjatë shqyrtimit gjyqësor të thirret një ekspert i filmave i cili do të sqaronte procedurën e realizimit të një filmi. Kjo për shkak se sipas tij, as prokuroria dhe as gjykata nuk e kishin kuptuar procesin e krijimit të një filmi. Seanca e rradhës lidhur me këtë rast, u caktua më 4 nëntor.

Rasti i dy ish ministrave të kulturës dhe dy producentëve është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 2 qershor të këtij viti. Aktvendimi i kësaj gjykate, e risjellë para drejtësisë edhe një herë këtë rast, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale.

Në dhjetor të vitit të kaluar ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri u shpallën fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të cilëve ju shqiptua nga 10 muaj burg me kusht. Fajtor në këtë rast u shpall edhe producenti filmik Armond Morina, të cilit ju shqiptua dënimi me burg efektiv prej 6 muajve, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.

Prokuroria i ngarkon dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza.  Ndërsa, dy të fundit akuzohen për veprën penale të ‘mashtrimit në detyrë’. Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e vitit 2014. Ish Ministri Astrit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro. Më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro. Ndërkaq, ish Ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë