Ish-komercialisti i IPKO-s mohon se falsifikoi fatura dhe përvetësoi 3,660 euro nga kompania dhe klientët e saj

Alban Sylafeta foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 16, 2020

Gjakovë – Ish-komercialisti i kompanisë mobile “IPKO”, Alban Sylafeta, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka mohuar fajësinë për përvetësim në detyrë dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Sylafeta u deklarua i pafajshëm, duke shtuar se aktakuza ka shumë kontradikta në vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Mentor Bajraktari deklaroi se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, derisa e njoftoi të akuzuarin se brenda afatit prej 30 ditësh ka të drejtë të dorëzojë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 27 shkurt 2020, Alban Sylafeta po akuzohet se në periudhën kohore nga 21 dhjetor 2016 e deri më 28 shtator 2018, në cilësinë e personit zyrtarë- komercialist në kompaninë e telefonisë mobile “IPKO”, në rrugën “Nënë Tereza “ në Gjakovë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari të dëmtuarës kompanisë “IPKO”, si dhe klientëve këtu të dëmtuarve, Pashk Gjoni, Leonard Komani, Pren Gjokaj, Mentor Kqiraj, Arnand Kqira, Agim Ademaj, Sadri Hoti, Hysni Bajraj, Riza Selmanaj, AAR Niki-S market etj, të cilët pagesat vjetore në emër të shërbimeve  të internetit nga shuma e mjeteve të pranuara ka a deponuar vetëm shumën të paraparë për një muaj shërbim në llogarinë bankare të të IPKO-së, ndërsa shuma e mbetur ka figuruar si borxh në emër të klientëve, ashtu që i pandehuri të dëmtuarve të lartcekur ju lëshon fatura false duke iu konfirmuar se pagesa për shërbimet e kompanisë është ekzekutuar për një vit, për t’i bindur klientët se pagesa është procesuar, ndërsa shumën tjetër e përvetëson për nevoja personale, me ç’rast klientëve, këtu të dëmtuarve nga kompania “IPKO” ju ndërpritet shërbimi i kërkuar për mos pagesë dhe me këtë klientëve të kompanisë ju ka shkaktuar dëme materiale në shumën prej 3,660 eurosh.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Përvetësimi në detyrë” nga neni 425 parag.1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Sylfeta po akuzohet se me dije ka përpiluar dokumente të falsifikuara me qëllim që t’i përdor ato dokumente si të vërteta, në emër të shërbimeve të internetit, duke ndërhyrë në faturat të cilat i gjeneron sistemi i kompanisë “IPKO” në mënyrë automatike dhe nuk lejohet ndërhyrje në to, ku i akuzuari ndërhynë në formën dhe përmbajtjen e këtyre faturave duke ndryshuar përmbajtjen e tyre origjinale dhe duke shënuar përmbajtje të rreme, më pas të njëjtat ua lëshon klientëve të kompanisë “IPKO dhe të dëmtuarve të lartcekur, me të cilat ka konfirmuar se kinse pagesa në emër të shërbimeve të internetit është bërë në kohëzgjatje  prej një viti në bazë të kontratave të lidhura me kompaninë “IPKO”, edhe pse këto pagesa janë bërë vetëm pjesërisht në xhirollogarinë e kompanisë “IPKO” në emër të klientëve,  ndërsa pjesa e tjetër e mjeteve nuk janë  deponuar në llogarinë bankare të kompanisë në emër të klientëve por janë përvetësuar nga i akuzuari.

Për këtë pikë të aktakuzës po ngarkohet me veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 parag.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi