Ish-këshilltarja e Nenad Rikalos thotë se ai nuk u kishte kërkuar asgjë të kundërligjshme, por vetëm punë në të mirë të bujqësisë

IMG-0883
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Ish-këshilltarja e Nenad Rikalos, Danica Laban ka thënë se ai asnjëherë nuk e kishte urdhëruar që të bëj diçka kundërligjshme gjatë kohës kur Rikalo kishte qenë ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZH).

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Rikalo, ajo tha se nuk ka dëgjuar se ish-ministri u kishte kërkuar diçka të kundërligjshme apo të dyshimtë as punëtorëve të tjerë të MPBZH-së. Sipas saj, Rikalo vetëm i kishte këshilluar që të punojnë në të mirë të bujqësisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto deklarata, Laban i ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen ish-ministri Rikalo, sekretari i përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihi, dëshmitarja Laban tha se ka qenë kryetare e komisionit për formimin e plan programit të veçantë dhe se kishte qenë udhëheqëse e grupit punues të këtij programi.

Ajo tha se përveç asaj, anëtarë të këtij grupi punues kishin qenë edhe 11 apo 12 anëtarë të tjerë.

Sipas saj, prej ish-ministrit Rikalo kishte pranuar përmes emailit dy programe, por kur ia kishte përcjellë këto programe drejtoreshës së Departamentit për Politika Zhvillimore (DPZH) në këtë ministri, Shqipe Demajt, nga ajo kishte marrë përgjigje se kjo nuk ishte procedurë e rregullte dhe se ekzistonin procedura të rregullta që këto programe të jenë të ligjshme.

Për shkak të kësaj, sipas dëshmitares, ministri Rikalo kishte marrë vendim për një program të ri dhe më pas ishin emëruar edhe grupet punuese nga sekretari.

Pasi kishin filluar punën, dëshmitarja tha se draft-programi ishte punuar nga Ekrem Gjoka, i cili sipas saj edhe e kishte prezantuar programin në grupin punues.

“Draft programin e ka hartuar Ekrem Gjoka dhe i njëjti i është dërguar edhe ministrit përmes emailit, pasi grupi punues e ka ndërruar versionin që e ka dërguar ministri, pasi programi ka pasur të meta dhe mangësi dhe në tërësi është ndërruar dhe përpunuar sipas propozimit të Shqipe Demajt”, ka thënë dëshmitarja.

Sipas dëshmitares, në këtë plan program kishin qenë dy masa, njëra për investime në infrastrukturë dhe zhvillim rural në pesë regjione të Kosovës, ndërsa e dyta për zonat rurale më pak të zhvilluara në veri të Mitrovicës.

Si rezultat i punës dhe aktivitetit të anëtarëve të grupit punues, ajo tha se programi final edhe sipas vëllimit edhe sipas esencës ka qenë shumë më kualitativ se drafti punues.

Sipas saj, ish-ministri Rikalo asnjëherë nuk kishte ndërhyrë në punën e grupit punues apo në draftin e plan programit dhe se nuk kishte ndodhur që të urdhërojë apo të sugjerojë që të mos ndërhyjnë në këtë draft.

Dëshmitarja shtoi se nuk kishte dëgjuar as prej ndonjë anëtari tjetër të grupit punues se ish-ministri Rikalo i kishte thënë që vetëm të jetë prezent në këtë grup punues, por të mos kontribuojë asgjë.

Gjatë punimit të udhëzimit administrativ, dëshmitarja tha se ka marrë pjesë një jurist, ndërsa kur është përfunduar ky udhëzim, ajo tha se është nënshkruar edhe nga i akuzuari Shefki Zeqiri.

Për krijimin e programit të veçantë, dëshmitarja tha se si kryetare e komisionit për formimin e këtij programi e kishte pyetur ministrin se a kishte buxhet të mjaftueshëm dhe sipas saj, ai i kishte thënë se të hollat për këtë program ishin të parapara.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 6 korrik 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 26 dhjetor 2019, Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që tu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm disa kompanive, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe ndaj rregullores nr.37/2013 dhe udhëzuesit dhe doracakut për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas aktakuzës, kompanitë në favor të të cilave kishin vepruar të akuzuarin ishin konzorciumi “Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë,

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit nz MBPZH ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grandit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Sipas aktakuzës, ai më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç ‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale , duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëj kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural, kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësoj përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. /BetimipërDrejtësi