Ish-inspektori në Prishtinë thotë se rrënimi i objektit s’ka mundur të bëhej pa u larguar familjet brenda tij

Medina
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 7, 2019

Prishtinë – Vendimi që ishte marr për rrënimin e një objekti në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, nuk ka mundur të realizohej, pa u larguar familjet që gjendeshin brenda tij.

Kështu, ka deklaruar ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Vehbi Abdullahu, i cili ka dhënë dëshminë e tij në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pikërisht, për shkak të mos rrënimit të këtij objekti, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, tani po akuzohen ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli.

Dëshmitari Abdullahu, në seancën e së enjtes, ka thënë se disa herë kanë raportuar në mbledhjet e tyre dhe kanë diskutuar për këtë objekt, ku ishte kërkuar që të rrënohet.

Abdullahu ka thënë se ishin rrënuar disa pjesë të këtij objekti, por i tërë objekti nuk është rrënuar për arsye se në gërmadhat e objektit ishin disa familje dhe shefi u kishte thënë që për tu bërë rrënimi i objektit duhet të largohen të gjitha ato familje.

“A do të thotë kjo se arsye pse nuk është rrënuar krejt objekti ka qenë se kanë jetuar disa familje?”, ka pyetur avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron Ismet Halitit.

E dëshmitari ka thënë se nuk mund të thotë për një gjë të tillë, mirëpo ka shtuar se pa u larguar familjet nuk ka mundur të rrënohet objekti.

Ai ka thënë se kjo dukuri mendon se është shfaqur edhe në raste të tjera ku nuk kanë mundur të rrënohen objektet për shkak se ka pasur familje, ku ka përmendur si shembull lagjen “Hajvalia”.

Ai në fillim të dëshmisë së tij, ka thënë se punën si inspektor i ndërtimit e ka filluar më 1 shkurt 2010, ku shef i tij në atë kohë kishte qenë Ismet Haliti.

Ai ka thënë se kishin dal në terren për objektin kontestues, kur ka thënë se nuk i kujtohet se a ka pasur kërkesë të shefit të Inspeksionit apo ankesë të qytetarëve për të dal në terren për këtë objekt.

“Nuk më kujtohet saktë. Ka mundur të ndodh që kemi dal gjatë patrullimit që e kishim zonë, ka mundur që edhe shefi na ka thirr na ka thënë shkoni te qiky rast”, ka thënë ai.

Ky dëshmitar ka thënë se kur kanë dal në vendpunishte kanë konstatuar se kishte filluar mbindërtimi i objektit përkatës dhe se për këtë ka pasur lëndë të hapur sipas inspektorëve paraprakë.

“Kemi shku në punishte kur jemi kthy e kemi pas që ka pas lëndë të hapur për të”, ka thënë ai.

Në dosje të lëndës ka thënë se ka pasur vendim të rrënimit të këtij objekti dhe një procesverbal, e vendimi i ishte referuar pronarit Habib Vllasaliu.

Data e vendimit, ai ka deklaruar se nuk i kujtohet, e avokati Krasniqi e ka pyetur se a ka mundur të jetë ndonjë nga tre datat si 5 tetor 2006, një vendim tjetër i vitit 2008 apo një tjetër i 2014.

Dëshmitari ka thënë se datën e saktë nuk mund ta përcaktojë, por se para vitit 2010 ka qenë ky vendim.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk kanë marr urdhër për zbatimin apo mos zbatimin e vendimit nga shefi Ismet Haliti.

“Asnjëherë nuk ka thënë as rrënone as mos e rrënoni”, ka thënë dëshmitari.

“A keni qenë të obliguar pa e pyet shefin ta ekzekutoni vendimin për rrënim?”, ka pyetur avokati Krasniqi.

“Jo, s’kemi mundur sepse shefi është dashur ta bënte ekipin e rrënimit e pastaj urdhrin për rrënim”, ka thënë ai.

I akuzuari Haliti e ka pyetur dëshmitarin se në sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, a është punuar sipas tekave të shefit e inspektorëve apo sipas ligjite rregullores së punës.

E dëshmitari ka thënë se detyrat e përgjegjësitë kanë qenë të ndara për secilin me anë të rregullores së punës, që mendon se e kanë bërë strukturat komunale, e ndoshta edhe ministria.

“A  është e cekur në këtë rregullore se inspektori është i obliguar me nxjerr vendimin për rrënim, me bo rrënimin e objektit dhe me përcjell deri në përmbarim atë aktvendim?”, ka pyetur i akuzuari Haliti

“Në detaje nuk më kujtohet, por është obligim për me nxjerr vendim për rrënim për objekt që është duke u ndërtuar pa leje apo është në tejkalim të lejes së ndërtimit, nëse paraprakisht nuk ka pas vendim”, është përgjigjur dëshmitari.

Ai ka thënë se çështjen e rrënimit e bën shefi me punën e tij organizative, ndërsa inspektori e bën mbikëqyrjen e rrënimit.

Ai ka thënë se me anë të ligjit një herë nxirret vendimi për rrënim.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Rafet Halimi, ai ka thënë se nuk i kujtohet se a kanë konstatuar në procesverbal se ka pasur familje brenda objektit.

“Nuk më kujtohet. Ku është bërë mbindërtimi nuk ka pasur familje, ndërsa pjesa që ka qenë kapur me objektin ka pasur banor. Tash nuk pe di a në përdhesë apo në katin e parë. Mbindërtimi ka qenë i pabanueshëm. Disa herë i kemi rrëzuar këto pjesë të mbindërtimit. Në njërën pjesë të objektit kanë filluar të bëjnë mbindërtim”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica, ka thënë se meqenëse anëtari i trupit gjykues Vesel Ismajli ka një takim pune dhe në mungesë të dëshmitarëve të tjerë, duhet të ndërpritet gjykimi që është caktuar të vazhdohet më 5 mars, me fillim nga ora 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, në bashkëkryerje kanë keqpërdoruar detyrat e tyre zyrtare nga viti 2008 e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.