Ish-inspektori komunal në Prizren i akuzuar për korrupsion kërkon kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes

Raporton: Floridin Osmanaj

Prizren- Nexhmedin Musliu, ish-inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Gent Gjini, ka kërkuar kohë shtesë, në mënyrë që të përgatitet për të dhënë mbrojtjen, në rastin ku ai po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Këtë kërkesë, i akuzuari Musliu e bëri në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, pasi që nuk kishte propozime të reja për dëgjimin e ndonjë dëshmitari eventual, është vazhduar me administrimin e provave të propozuara nga palët.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha ka bërë leximin e shkresave të lëndës, në mesin e tyre edhe aktvendimin për lejimin e lokacionit për ndërtimin e shtëpisë individuale për banim me lokal të lëshuar nga Komuna e Prizrenit, leximin e vendimit për kushte ndërtimore të 10 korrikut 2014, leximin e aktvendimit për inspektimin e kryer të 14 nëntorit 2014 si dhe shkresa të tjera.

Pasi që nuk kishte propozime të tjera, gjykata kishte në plan që të vazhdojë me marrjen në pyetje të akuzuarin Nexhmedin Musliu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Gent Gjini pas konsultimit paraprak me të mbrojturin e tij deklaroi se meqenëse në këtë proces gjyqësor janë administruar të gjitha provat materiale dhe personale, e po ashtu meqenëse i njëjti ka dhënë një deklaratë në polici dhe prokurori, kanë konsideruar se është vërtetuar gjendja faktike në këtë çështje penale.

Tutje, shtoi se në fazën e mbrojtjes, çështja mund të përdoret për ndonjë lapsus apo fjalë të lëshuar, ashtu që nuk do të lejojnë prokurorin apo palët që çështja kushtimisht të “abuzohet”, andaj kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore që të mbrohen në heshtje.

Pas kësaj, prokurorja Ervehe Gashi theksoi se asnjëherë gjatë intervistimit nuk kanë ndërmarrë veprime abuzive në raport me të akuzuarin dhe se nëse mbrojtja konsideron se ka ndërmarrë ndonjë sjellje abuzive, atëherë e njëjta do ta kërkojë përjashtimin në çështjet penale që kanë të bëjnë me të akuzuarin Nexhmedin.

Kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha iu dha përsëri mbrojtjes dhe të akuzuarit Nexhmedin kohë shtesë për t’u konsultuar në lokalet e veçanta të gjykatës.

Pas konsultimi me mbrojtësin e tij, i akuzuari Nexhmedin Musliu deklaroi se do të mbrohet duke dhënë mbrojtjen e tij, mirëpo nga gjykata kërkoi që t’i jepet një afat më i arsyeshëm për përgatitjen e mbrojtjes.

Për këtë arsye, seanca e sotme është ndërprerë dhe të radhës janë caktuar më 28 dhe 31 mars 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.

Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë